Basha: Për ne qytetari është i pari dhe këtë e tregojmë me vepra

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte sot i pranishëm në nisjen e punimeve për rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga rrugët “Dritan Hoxha”, “Teodor Keko”, “Anesti Lubonja” dhe parku tek ish - Pista e Aviacionit, me sipërfaqe rreth 14.7 ha.Ndërtimi i këtij blloku sipas Kryebashkiakut Basha, është shenjë e dedikimit që ka sot Bashkia, ndaj interesit të qytetarit, pavarësisht ku jetojnë, pavarësisht bindjeve të tyre politike.“Për ne, qytetari është i pari dhe këtë e tregojmë me vepra e jo me fjalë. Kam një mesazh për banorët e kësaj zone dhe ky mesazh është që ne brenda gushtit do të mbyllim projektet teknike, që do të thotë ujësjellës, kanalizime, asfaltime, trotuare, gjelbërim, ndriçim dhe ku është e mundur sheshe lojrash për fëmijë dhe sheshe pushimi për çdo centimetër katror të njësisë bashkiake nr.7. Me këtë frymë bashkëpunimi që kemi sot me qeverisjen që mundëson financimin e gjysmës së këtyre projekteve, duke vijuar këtë frymë bashkëpunimi dhe besimi të ndërsjellë me qytetarët e Tiranës, me këtë qeverisje e cila po kështu e ka qytetarin të parin dhe nuk e shikon si një subjekt për t’u kërcënuar, shantazhuar apo mashtruar në kohë zgjedhjesh, jam i sigurt se qytetarët e Tiranës do të ndjejnë në çdo cep të këtij qyteti frytet e këtij bashkëpunimi, do të ndiejnë në çdo cep të këtij qyteti frymën e re që po fryn me investimet dhe shërbimet e përmirësuara të Bashkisë së Tiranës” theksoi  Basha.Me një investim prej 96.1 milionë lekësh, në këtë bllok banimi do të realizohet 8080 m2 sipërfaqe rruge me asfalt, 1960 m2 trotuare, punime të ndërtimit të sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të ujërave të bardha, vendosjen e 128 shtyllave të ndriçimit rrugor etj. Ndonëse afati i përfundimit të punimeve është parashikuar 8 muaj, kontraktori është angazhuar t’i përfundojë për 6 muaj.