Berisha: Vitin e parë të mandatit, s’do ketë asnjë familje në varfëri ekstreme
Nga njësia nr 4 në kryeqyet ku prezantoi kandidatin për deputet, Arben Qirjako, Kryeministri Berisha ka shpallur luftën ndaj varfërisë ekstreme, duke u zotuar se katër vitet që vinë Shqipëria dhe shqiptarët do të ndahen njëherë e përgjithmonë nëpërmjet rritjes së ndihmës ekonomike, rritjes së punësimit, nga varfëria e madhe nga ato skaje ku ekziston.

“Jam sot këtu, për tu zotuar para jush se vitin e parë të mandatit që vjen nuk do të ketë familje në këtë lagje, në Tiranë dhe në Shqipëri në varfëri ekstreme. Shqipëria dhe shqiptarët do të ndahen njëherë e përgjithmonë nëpërmjet rritjes së ndihmës ekonomike, rritjes së punësimit, nga varfëria e madhe nga ato skaje ku ekziston. Kjo është alternativa jonë, alternativë e faktuar me integrimin e Shqipërisë në NATO,e faktuam së bashku me heqjen e vizave, e faktuam së bashku me rritjen e pensioneve dhe rrogave, e faktuam së bashku me ndërtimin e infrastrukturës moderne në Shqipëri. Do të faktohet më tej, do të provohet në lagjet tuaj, në mbarë Tiranën. Unë u jap fjalën këtu, se qeveria do të financojë ndërtimin dhe rindërtimin në Tiranë të 250 km rrugë me përparësinë më të madhe” tha Berisha.

Kryeministri ka preferuar të jetë i kursyer në vëmendjen kushtuar kundërshtarit, duke u përqëndruar kryesisht në investimet që parashikohen për këtë zonë, ku në mbështetje edhe nga Bashkia e Tiranës, Berisha tha se qeveria do të investojë në këtë lagje më shumë se në të gjitha dekadat të marrë së bashku, plot 22 milion dollarë për përmirësimin e shërbimeve në këtë komunitet.

“Së bashku ia dolëm të hapim për Tiranën një kapitull të ri, kapitullin e Tiranës së shekullit të 21. Ju sot këtu të festoni fitoren sepse ne jemi të vendosur që në këtë lagje, në të 4 anët e saj të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rruge, çdo shkollë, çdo shesh pallatesh, ta asfaltojmë të shndërrojmë në lulishte, të ndërtojmë shërbimet më të mira. Ju duhet ta dini se qeveria ka ndërtuar për ju, për lagjet tuaja 1 miliard lekë investime dhe së bashku me bashkinë do të investojmë në lagjen tuaj, më shumë se në të gjitha dekadat të marrë së bashku. Do të investohen 22 milion dollarë. Qeveria do të mbështesë bashkinë e Tiranës për rivitalizimin e të gjithë territorit të lagjes tuaj, rrugë, rrugica , kanale, ujësjellës shkolla, çerdhe dhe gjithçka tjetër. Brenda një viti në këtë lagje do të investohen 22 milion dollarë.Ndërkohë në lumin e Tiranës, dhe bulevardin e madh do investohen edhe 60 milionë Euro të tjera. Me këto investime ne krijojmë mijëra vende pune për ju dhe qytetarët e Tiranës. Ne mundësojmë hapjen e mijëra bizneseve të reja në të gjithë territorin e lagjes dhe në mbarë Tiranën. Ne mundësojmë në këtë mënyrë krijimin e dhjetëra, mijëra vendeve të punës. Vetëm në territorin midis Aeroportit dhe Tiranës po ndërtohen dy parqe gjigande Logjistike në të cilat do të punësohen 30 mijë qytetarë të Tiranës”tha Berisha.
Duke preferuar ta lërë Ramën të çlodhet në autobusin mavi, Berisha kërkoi votën e banorëve të Kinostudios për të çuar përpara Tiranën e shekullit 21.

“23 qershori po afron, është dita e madhe e vendimit tuaj, e vendimit për fitoren e 23 qershorit, e vendimit për Tiranën e shekullit 21, e vendimit të punësimit tuaj, për rroga më të larta dhe pensione më të larta, e vendimit për shndërrimin e blloqeve të të gjithë kësaj lagjeje në blloqe të një kryeqyteti të zhvilluar.Cila është alternativa tjetër? Mashtrime, trillime, sharje dhe mallkime. Por ato le ti hedhim me një akt dhe të mos konsumojmë asnjë minutë duke u marrë me to. Le t’ia lemë shokut të çlodhet në autobuz. Vazhdo të çlodhesh. Ne le të vazhdojmë në përpjekjen tonë të mëtejshme për të ulur më tej taksat, për të ndërtuar një jetë më të mirë, për të ecur drejt Europës dhe të vazhdojmë për një punësim më të madh, rrogave më të larta, mirëqenie më të madhe, për Tiranën ëndrrës së qytetarëve të saj. Për Tiranën e ëndrrës së shqiptarëve kudo që janë, për Tiranën, metropolin europian” përfundoi ai.
Berisha me sipërmarrës: Politika e Ramës për taksat absurde, do mbetet në kuti
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi pasditen e së martës një takim me sipërmarrësit në lagjen Kombinat të Tiranës. Kreu i së dajthtës e ka shfrytëzuar bashkëbisedimin me biznesmenët për të rivënë në shesnjestër të sulmeve taksën progresive të ofruar nga PS, vendosja e të cilës sipas tij do të thotë falimentim i plotë i vendit.
“Dy modele po përballen sot, modeli i taksës së ulët ose të 10-tave, dhe ai i taksës së lartë apo progresive. Taksa progresive do të thotë para shumë më pak për investitorin, para më pak për kompaninë, pamundësi për rritje pagash, pamundësi krijimi vendesh pune. Do të thotë shkurtim i vendeve të punës. Ndërsa me taksën e sheshtë barra fiskale shpërndahet në mënyrë të përgjithshme.”- tha Berisha.Shefi i qeverisë shprehu gadishmërinë e tij dhe kabinetit qeveritar për të bërë gjithcka për suksesin e biznesit, duke i siguruar sipërmarrësit se mbështetja e fuqishme ndaj tyre do të mbetet një politikë konstante.
Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi edhe rritjen e investimeve në vend, proçes ky që sipas tij do të vijojë në 4-vjeçarin e ardhshëm.
“Në vitet e fundit Shqipëria ka marrë 1 miliard dollarë në çdo vit. Ne jemi të gatshëm të marrim çdo hap në mënyrë që në 4 vitet që vijnë të arrijmë 6 miliardë dollarë investime. Kjo është një shifër realiste pasi për Shqipërinë janë parashikuar investime gjigande. Shefi i qeverisë ka saktësuar se vetëm kaskada e Devollit ka një kosto prej 1 miliard dollarë, ndërsa ka shtuar se gazsjellësi TAP ofron punësim dhe mundësi për përdorimin e gazit në shkallë të gjerë. Po ndërtohen edhe parqe industriale. Ne kemi punësimin e shqiptarëve qëllimin më madhor dhe mirëqënien prioritetin e dytë. Kjo është një histori suksesi”, u shpreh Kryeministri.