Idrizi takim me gratë e PDIU: Femra, forca më vitale e shoqërisë shqiptare
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi sot një takim me antaret e Forumit të Gruas së PDIU-së në Tiranë. Mes qindra grave dhe vajzave, pjesë e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kreu i PDIU-së Idrizi falenderoi të gjitha nënat, motrat dhe vajzat për mbështetjen e dhënë në shërbim të kauzave të mëdha të kombit.
“Femra është forca më vitale e shoqërisë shqiptare. Shpesh herë duket sikur ne jemi një shoqëri maskiliste, por në fakt, kur burrat kthehen në shtëpi, janë pikërisht gratë ato që shërbejnë si kolona e shtëpisë. Janë gratë ato të cilat na edukojnë, na rrisin dhe na bëjnë gati për t’u përballë me sfidat e jetës. Për këtë arsye unë personalisht nuk do t’ju kërkoj votën për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, nuk do t’ju kërkoj votën për numrin 50, por dua nga kjo tribunë t’ju falenderoj për rolin që ju luani në shoqërinë shqiptare”- tha Idrizi.Ai shtoi se gratë në politikë duhet të kenë një rol të veçantë dhe PDIU është e angazhuar për barazinë gjinore në garën elektorale.“Ju e keni parë se ne jemi ndër të paktat parti që kemi respektuar kodin zgjedhor për sa i përket përfaqësimit të grave në listat e kandidatëve. Por jo vetëm kaq, sepse është domosdoshmëri që femrat të jenë të përfaqësuara mbi 30 për qind në listën e kandidatëve. Ne kemi vendosur në dy zona zgjedhore dy gra që drejtojnë listat e kandidatëve. E kam fjalën për znj. Hajrie Mbrati në Berat dhe znj. Aida Shtino në Lezhë, dy gra energjike, të cilat jam e sigurtë se do të përfaqësojnë denjësisht zonat e tyre në parlamentin e ardhshëm. Përtej kësaj, dua t’ju siguroj se gjatë këtyre viteve në post edrejtuese në administratë ne kemi pasur shumë gra të suksesshme dhe përvoja ime ka treguar se ato janë shumë herë më korrekte, shumë herë më të përgjegjshme dhe shumë herë më të vyera në postet që kanë drejtuar” – deklaroi ai.Në këtë aktivitet përshëndeti edhe kryetarja e forumit të gruas së PDIU-së, Vjollca Braho, e cila vlerësoi mbështetjen që PDIU i ka dhënë gruas shqiptare, e gruas çame në veçanti dhe deklaroi se kjo mbështetje do të rritet në mandatin e ardhshëm.
Kandidati për deputet në Qarkun e Tiranës, z. Tahir Muhedini bëri thirrje për mbështetje masive të PDIU-së në zgjedhjet e ardhshme dhe garantoi që kauzat e mëdha të kombit, si çështja çame do të fuqizohen në katër vitet e ardhshme.