Idrizi në Shkodër, apelon emigrantët të marrin pjesë në votime

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi turin elektoral në qytetin e Shkodrës, ku u prit në një takim madhështor nga qindra mbështetës të PDIU-së. Idrizi prezantoi kandidatin për deputet Ililjan Idrizi.Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDIU-së theksoi se kultura shkodrane që i ka dhënë kaq shumë kulturës mbarëkombëtare do të jetë në fokus të politikave në katër vitet e ardhshme. Idrizi u ndal në lidhjen e kahershme ndërmjet Shkodrës dhe shqiptarëve të Çamërisë, duke vendosur theksin në figura të shquara çame, të cilat kanë jetuar dhe vepruar në Shkodër, si Kol Idromeno.“Ne jemi një komb, të bashkuar, dhe askush nuk mund të na ndaj. Këtu në Shkodër, afër vijës së fundit të kufirit me kombet e tjera ne gjejmë gjurmët e bashkimit të shqiptarëve. Mjafton t’ju kujtoj figura të ndritura të kombit tonë si Kol Idromeno, një shqiptar i Çamërisë nga Parga, i cili jetoi dhe veproi këtu duke treguar atë që askush nuk mund ta mohoj bashkimin dhe unitetin e kombit tonë. Prandaj ne themi me krenari në këtë fushatë: Unë e dua Shqipërinë të Bashkuar, të bashkuar ashtu siç e ka vendosur Zoti nga Preveza në Mollën e Kuqe, nga Tivari pranë qytetit historik të Shkodrës e deri në Kumanovë” – tha Idrizi.Më tej ai theksoi se çështja e toponimeve që Greqia ngre herë pas herë po kthehet në një qasje absurde nga një vend që është pjesë e Bashkimit Evropian.“Si ka mundësi që një shtet, pjesë e BE-së, një herë të thotë se është problem çështja e toponimeve dhe një herë tjetër se nuk na qenka problem vetëm dhe vetëm për të fuqizuar artificialisht një parti që do të ngre fantazmat e së kaluarës, si partia e Dules. Nga kjo tribunë, nga qyteti historik i Shkodrës, unë iu bëjë thirrje të gjithë emigrantëve që të kthehen në atdhe dhe të votojnë, duke përfituar nga ky rast, për partinë e vetme kombëtare shqiptare, për atë parti që ka ngritur zërin për çështjet e mëdha të kombit tonë, për PDIU-në” – deklaroi kreu i PDIU-sëShkodra, tha ai, është qendra natyrore ekonomike e pjesës më të madhe të Ballkanit Perëndimor dhe bashkimi ekonomik shqiptar, që PDIU do ta kthejë në realitet në mandatin e ardhshëm do ta bëjë Shkodrën të lulëzojë si dikur, si një qendër ekonomike dhe me prosperitet.