Misioni i KiE: Të plotësohet KQZ, politika të gjejë sërish rrugën e kompromisit

Edhe pse dy javë para zgjedhjeve, çështja e KQZ në dukje “e mirëpranuar” nga dy partitë e mëdha është rikthyer edhe njëherë në qëndër të vëmendjes. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kryesuar nga ish-parlamentari italian Luca Volonte në deklaratën e parë për mediat në ditën e dytë të qëndrimit në vendin tonë, e vlerësoi si emergjente krijimin e një administrate zgjedhore të pranuar dhe mirëbesuar nga palët.“Lidhur me situatën e krijuar në KQZ, na duhet të shikojmë zhvillimet e situatës zgjedhore në vijim, ne e kemi shprehur shqetësimin tonë për situatën në KQZ. Ne kemi diskutuar me partitë politike për këtë ngërç dhe mundësinë për tu kthyer besimin qytetarëve tek zgjedhjet dhe ky institucion. Vlerësimi ynë do vijë pas zgjedhjeve. Shpresoj që forcat politike të gjejnë një pikë reflektimi për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi. Çështja e KQZ është shumë e komplikuar, unë nuk doja të komentoja për momentin. Ajo mbetet e hapur dhe për t’u komentuar pas zgjedhjeve. Ne jemi këtu për t’i inkurajuar drejtuesit e forcave politike për pasjen e një administrate zgjedhore që të japë rezultate të besueshme për zgjedhjet. Ne nuk jemi këtu për të caktuar përgjegjësit, por për dhënien e zgjidhjeve të mundshme të problemit. Ne jemi të mendimit që partitë politike, klasa politike, ka treguar në të shkuarën se ka gjetur zgjidhjen e duhur, si në rastin e miratimit të tre ligjeve.”- tha ai.Duke iu referuar rregullatorit të gjithë procesit zgjedhor, kodit elektoral, Volonte vlerësoi se është e rëndësishme jo vetëm të respektohet kodi, por përmbajtja dhe fryma e tij.Kreu i delegacionit ka ngritur shqetësimin mbi presionet politike në të gjitha nivelet e administratës publike, pazaret për votën, mosrespektimin e kutova gjinore, shqetësimin e medias për të mos pranuar kaseta nga partitë, gjithashtu edhe incidentete elektorale, ku për këto të fundit ai tha se gjatë takimit me Kryeministrin Berisha mori garanci për vënien para përgjegjësisë të autorëve.Ndërkaq Volonte ka apeluar partitë politike të bashkohen për stabilitetin dhe frymën pozitive në zgjedhje, duke thënë se kjo provë u tregua edhe me votimin e tre ligjeve në Parlament, ndaj e vlerësoi të mundshme.“Asnjëherë nuk është thënë që zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme, shpresoj që këto zgjedhje të dëshmojnë realizimin e standarteve ndërkombëatre, test ky që do ti hapë rrugë prespektivës europiane të Shqipërisë” përfundoi Volonte duke paralajmëruar rikthimin e delegacionit të Asamblesë së KiE ditën e zgjedhjeve, e që më pas do pasohet nga raporti përfundimtar.