SHBA, shënohet Dita e Veteranëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënuan të dielën ditën e veteranëve, një festë federale kur nderohet personeli ushtarak që ka shërbyer në të gjitha luftrat amerikane.Presidenti Amerikan ka vendosur një kurorë me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Dëshmorëve në Arlington.Presidenti Obama dhe zonja e Parë Michelle Obama morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua nën tingujt e himnit kombëtar amerikan. Në fjalimin e rastit, Presidenti u zotua se do t’i shërbejë veteranëve të luftës, duke përmirësuar situatën e arsimimit të tyre dhe përfitimet mjekësore. Obama tha se administrata e tij është duke i ndihmuar veteranët të ndjekin arsimin e lartë, “për të përmbushur ëndërrat e tyre”.Presidenti Obama theksoi se do të përmbushë premtimin për t’i dhënë fund përfshirjes amerikane në Irak, duke theksuar faktin që  këtë vit është hera e parë që festohet festa e veteranëve pasi trupat amerikane u larguan nga Iraku në dhjetor të vitit të kaluar. Ai tha se 33 mijë trupa amerikane janë kthyer nga Afganistani, ndërsa atje po ndodh kalimi i pushtetit nën kontrollin e qeverisë afgane, pas një dekade lufte.Presidenti Obama tha gjithashtu se mbi një milionë ushtarakë amerikanë do t’i rikthehen  jetës civile në pak vitet e ardhshme dhe se Shtetet e Bashkuara kanë detyrimin e shenjtë për t’u kujdesur për ta.Për herë të parë Dita e Veteranëve u festua në vitin 1919 dhe ajo njihej fillimisht si Dita e Armëpushimit. Një vit më parë, më 11 nëntor të vitit 1918, në orën 11  u vendos armëpushimi mes Gjermanisë dhe forcave aleate.