Portugali, protesta kundër masave të kursimit
Portugezët kanë dalë sërish në rrugë për të protestuar kundër masave të kursimit, si pjesë e masave për të ulur borxhin e vendit që përbën një shqetësim për institucionet financiare të BE-së.Këtë herë në rrugë kanë dalë ushtarakët, të cilët kundërshtojnë rritjen e taksave mbi të ardhurat, pronësinë dhe kujdesin shëndetësor."Na duhet të paguajmë kaq shumë për kujdesin shëndetësor dhe shërbimi që na bëjnë është për të ardhur keq",- tha Jose Paulo Leitao që sipas tij kjo politikë e ndjekur nga qeveria nuk ka kuptim.Rritja e taksave dhe ulja e pagave, sipas tyre, nuk janë problemet e vetme. Ata kërkojnë edhe trajnim dhe pajisje më të mira. Disa thonë se asgjë nuk ka ndryshuar 40 vitet e fundit.Qeveria e kryeministrit, Pasos Coelho ka humbur mbështetjen e popullit. Ajo planifikon që për vitet 2013-2014 të ulë shpenzimet me 4 miliardë euro, megjithatë kjo nuk është diskutuar ende me FMN-në dhe BE-në.Portugezët frikësohen se një ulje e shpenzimeve do ta shkatërrojë edhe më shumë këtë shtet, kursimet e të cilit kanë prekur më shumë shëndetësinë, pensionet dhe ndihmën sociale.