Rikonstruktohet çerdhja nr. 30, Basha: Në gusht nis rikualifikimi urban i gjithë bllokut
Kryebashkiaku Lulzim Basha ishte i pranishëm sot, në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e çerdhes nr.30, në njësinë bashkiake nr.11. Me një investim prej 21.4 milionë lekësh është ndërtuar një shtesë e pjesshme kati dhe janë riorganizuar ambientet e brendshme të saj, duke shtuar ambientet e lojës, fjetjes, dhomës së mjekut, etj.“Përfundimi i punimeve për rikonstruksionin e çerdhes nr.30, na jep mundësinë për të inspektuar se si po funksionon kjo çerdhe pas rihapjes. Çerdhja është rikonstruktuar në mënyrë tërësore, janë shtuar ambientet, duke mundësuar rritjen e kapacitetit për fëmijë dhe aktualisht kjo çerdhe ka kapacitete për 80 deri në 100 fëmijë. Është kryer sistemi i ngrohjes me peleta dhe së shpejti do të bëhet edhe sistemi i energjisë diellore, me ndihmën e Bankës Botërore. Janë rikonstruktuar tërësisht ambientet e brendshme, kuzhina, pra ofrohet një cilësi e re shërbimi, një cilësi shërbimi plotësisht në përputhje me normat e standardet që ne si Bashki e Tiranës kemi vendosur dhe që janë në përputhje me normat e standardet e BE” u shpreh Basha.Në këtë çerdhe janë rindërtuar tërësisht ambientet e banjove dhe kuzhinave, oborri i jashtëm, është sistemuar dhe në të është vendosur një kënd lojrash dhe një ambient për vendqëndrimin e karrocave. Kryebashkiaku Basha u ka bërë të ditur banorëve, se çerdhja është pjesë e rehabilitimit urban të të gjithë bllokut të banimit.“Dua të ndaj me banorët e kësaj zone, lajmin se rikonstruksioni i kësaj çerdheje është pjesë e një projekti të rehabilitimit urban të gjithë zonës dhe duke filluar nga muaji gusht, pjesa pas çerdhes, duke përfshirë edhe rrugën “Learton Vathi” do të fillojnë të rikonstruktohen me buxhetin e Bashkisë së Tiranës, me fondet e parashikuara për vitin 2013” tha Basha.