Idrizi prezanton kandidatin në Lushnjë, përshëndet edhe lirimin e Limaj

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar pasditen e sotme një takim elektoral në qytetin e Lushnjes, ku kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi ka prezantuar kandidatin për deputet të Qarkut të Fierit, Omer Mamo. Gjatë fjalës së tij zoti Idrizi ka përshëndetuar vendimin më të fundit për lirimin e heroit të luftës së UÇK-së zotit Fatmir Limaj, si një provë për të treguar lufta e Kosovës ka qenë e drejtë.“Miq, sot dua të ndaj me ju gëzimin e madh për lajmin e lirit të mikut tim, heroit të luftës së Kosovës, Fatmir Limaj, ose siç njihet nga të gjithë “Komandant Çeliku”. PDIU që në fillim ka reaguar ashpër për arrestimin e Limajt, si një tentativë për të përdhosur luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por sot, ne jemi të gjithë bashkë, shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria për t’u vendosur në krah të Limajt dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së. Askush nuk mund të hedh poshtë gjakun e mijëra luftëtarëve, me anë të makinacioneve të gatuara në Beograd. Të gjithë ne sot jemi bashkë për të mbështetur të gjithë shqiptarët, aty ku jetojnë, aty ku Zoti i ka vënë. Nga qyteti i Kongresit, unë dua të përshëndes mikun tim Fatmir Limaj dhe t’i them se ne e duam Shqipërinë të bashkuar, duke vazhduar në këtë mënyrë amanetin e dëshmorëve të UÇK-së” – deklaroi Idrizi.Më pas Idrizi u ndal tek arritjet e PDIU-së në këto 4 vite, ku më kryesorja është Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame.“Në këto 4 vite, edhe pse ishim vetëm dy deputet në Parlamentin e Shqipërisë, kemi arritur të bëjmë shumë gjëra për çështjen kombëtare dhe çështjen çame. Fal presionit tonë, politika shqiptare nxori nga arkiva Rezolutët e vitit 2004 duke konfirmuar se ajo ishte e miratuar. Miq, ne sot nuk jemi këtu për të treguar ato që kemi bërë, por po kërkojmë votën e çdo shqiptari, duke i garantuar ata se ne do jemi zëri patriotik në Parlamentin e Shqipërisë, duke siguruar respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë. Ne do garantojmë që çdo gërmë e Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame, të respektohet dhe zbatohet nga shteti shqiptar. Prandaj, kërkoj që më datë 23 qershor të gjithë ju të votoni numrin 50, të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, në mënyrë që në Parlamentin e ardhshëm, të jenë 7 deputet patriot” – u shpreh Shpëtim Idrizi.Nga ana e tij, kandidati për deputet i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet për Qakrun e Fierit, zoti Omer Mamo shprehu dhe një herë bindjen se votuesit e këtij qarku, të cilët ndër vite janë shquar për hapjen e shtëpive dhe zemra për shqiptarët e Çamërisë dhe shiqiptarët e Kosovës, do dijnë të zgjedhin se cila është forca politike që punon për shqiptarët kudo që janë.“Unë jam krenar që jetoj në Qakrun e Fierit, i cili është i njohur ndër vite se ka mirëpritur shqiptarët nga të gjitha trevat. Unë jam i bindur që ju më datë 23 qershor do votoni numrin 50, do votoni Partinë, Drejtësi, Integrim dhe Unitet si partia e vetme që ka treguar me fakte se punon për çështjen kombëtare” – mbylli fjalën e tij zoti Mamo.