Bogdani: Rama të ndalë fyerjet ndaj inteligjencës së qytetarëve
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me deklaratat e kryesocialistit Edi Rama gjatë turit të sotëm elektoral lidhur me situatën ekonomike. Në një deklaratë për mediat, deputeti Gerti Bogdani, tha se Edi Rama sajon fantazira nga salloni mavi që çdo qytetar e kupton fare mirë dhe qartë që nuk kanë lidhje me realitetin.“Sot, si gjithmonë i çoroditur, Edi Rama vazhdoi me turin e pesimizmit. Nëse do të besonim Edi Ramën, ne jetojmë në Mesjetë, të izoluar nga bota, me rrugë të mbushura me banditë të armatosur, dhe me shqiptarët në kërkim të tre fetave bukë. Si gjithmonë, Edi Rama sajon fantazira nga salloni mavi që çdo qytetar e kupton fare mirë dhe qartë që nuk kanë lidhje me realitetin. Qytetarët gjithashtu e dinë se Edi Rama nuk ka asnjë plan për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të krijuar vende pune, asnjë zgjidhje dhe ide konkrete, por vetëm sllogane boshe dhe skema për rritje taksash që do të shkatërronin vende pune dhe bizneset që krijojnë vende pune, ashtu siç bëri edhe kur ishte kryetar bashkie. Edi Rama e kërkon pushtetin dhe mbajtjen e karriges së PS me aq dëshpërim, saqë për këtë është gati të thotë dhe të bëjë çdo gjë. Qytetarët e dinë të vërtetën sepse ata i shohin dhe i prekin arritjet çdo ditë. Ata ecin në rrugë të reja, shkojnë në shkolla të reja të paisura me kompjutera dhe internet, vizitohen në qendra shëndetësore më cilësore, shohin që rrogat e tyre janë rritur dhe blejnë më shumë, si dhe udhëtojnë të lirë në Europë. Dhe janë krenarë për vendin e tyre” deklaroi ai.Sipas Bogdanit ka ardhur koha që Rama të ndalë fyerjet e tij ndaj inteligjencës dhe mençurisë së qytetarëve duke u thënë atyre se ata nuk kanë arritur asgjë, duke u thënë se bizneset e tyre nuk janë rritur, se nuk kanë kuptim as arritjet e tyre akademike, as rrugët e reja, as shkollat dhe as qendrat shëndetësore për realizimin e të cilave qytetarët vetë kanë dhënë kontributin e tyre.“Por çdo herë që qytetarët kanë kërkuar që Shqipëria të ecë përpara, Rama ka bllokuar, bojkotuar, ka hyrë në greva urie, ka përdorur dhunë dhe ka dalë në protesta. Sepse Rama kujdeset vetëm për veten e tij dhe për të rritur pushtetin personal. Ka ardhur koha që Rama të ndalë fyerjet e tij ndaj inteligjencës dhe mençurisë së qytetarëve duke u thënë atyre se ata nuk kanë arritur asgjë, duke u thënë se bizneset e tyre nuk janë rritur, se nuk kanë kuptim as arritjet e tyre akademike, as rrugët e reja, as shkollat dhe as qendrat shëndetësore për realizimin e të cilave qytetarët vetë kanë dhënë kontributin e tyre” shtoi Bogdani.“Sali Berisha dhe Partia Demokratike ofrojnë një alternative më të mirë. Një alternativë që në bashkëpunim me qytetarët, punon për të shtruar rrugë, ndërtuar shkolla, rritur furnizimin me ujë të pijshëm dhe krijon vende pune. Një alternativë e cila vendos qytetarin të parin. Ne jemi krenarë se sa shumë ka ecur Shqipëria. Ne jemi optimist për të ardhmen tonë. Dhe ne e dimë se së bashku nuk ka asgjë që ne nuk mund të arrijmë” përfundoi deputeti i PD-së.