Milani i ri ka lindur, kuqezinjtë fitojnë trofeun e parë të sezonit (VIDEO)
Tetë blerjet e reja duket se po funksionojnë dhe Milani i ri i ndërtuar nga klubi dhe Stefano Pioli po merr formë. Ndeshja për Trofeun Berlusconi mes Milanit dhe Monza-s nxorri në vitrinë ekipin që duhet të presin tifozët kuqezi gjatë sezonit të ardhshëm.
1-1 në kohën e rregullt dhe më pas 6-7 nga penalltitë, Milani triumfoi në ndeshjen miqësore kundër Monza-s. Në “U-Power Stadium” Pulisic hapi serinë e golave dhe më pas Colpani barazoi shifrat, ndërsa ai që gaboi 11-metërshin për skuadrën e Monza-s ishte Birindelli.
Ai që ra në sy ishte mesfushori Reijnders i cili u shfaq vendimtar në mekanizmat e lojës së Milanit, ndërsa mbrojtja e Milanit vazhdon të zhgënjejë. Kjo ishte kupa Silvio Berlusconi dhe jo Luigi Berlusconi siç ishte quajtur deri tani pasi ish-presidenti i Milanit dhe Monza-s ndërroi jetë pak muaj më parë.
