Meta: Modeli ekonomik duhet të ristrukturohet, të orientohemi drejt prodhimit

Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar sot se Shqipëria ka nevojë për një ristrukturim afatgjatë të modelit ekonomik, duke e orientuar atë drejt prodhimit.Duke folur në forumin ekonomik të organizuar nga LSI-ja, Meta theksoi se është e rëndësishme që e gjithë politika e taksave në vend të vihet në funksion të shndërrimit të ekonomisë nga një ekonomi  konsumi në ekonomi prodhuese, që sipas tij, do të krijojë mundësi edhe për hapjen e vendeve të reja të punës.“Të kemi një ekonomi që prodhon, të ulim importet dhe të kemi mundësi të rrisim eksportet. Remitancat janë në rënie, që kanë qenë burimi kryesor i financimit të ekonomisë. Probleme të tjera që kanë të bëjnë me taksat. Për ne e para është që në të kemi një ristrukturim sa më të shpejtë për ekonominë e vendit, nga një ekonomi konsumi në ekonomi të orientuar drejt prodhimit. E gjithë politika e taksave të vihet në këtë funksion dhe të hapen vende të reja pune. Sa i takon tregut. Absolutisht për ne avantazhet e një ekonomie që bazohen tek tregu i lirë duhet të shoqërohen me rolin rregullator të qeverise, në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë të përfitojnë” tha Meta.Meta theksoi më tej se nuk ka një strategji të qartë që vendi të mos bjerë në recesion.“Banka Botërore vlerësonte se ekonomia u rrit vetëm 0.5 për qind, tre muajt e parë. Pra, jemi pranë recesionit. Në këtë situatë, kur kemi një thellim të defiçitit tregtar, rritje të borxhit publik, përtej limiteve të pranueshme, kur klima ndaj biznesit është bërë gjithmonë e më e vështirë, kur ka probleme të shumta, sigurisht që ka shumë këmbana që kërkojnë një kthjelltësi dhe orientim të shpejtë jo vetëm për masa stabilizuese, por edhe ristrukturim të modelit ekonomik”, tha Meta.