Duka në Maminas: Do të loboj fort në parlament për heqjen e akcizës së naftës
Kandidati për deputet nën siglën e Partisë Republikane, Agron Duka në kuadër të takimeve me elektoratin është ndalur në zonën e Maminasit, ku ka zhvilluar një takim miqësor me banorët e kësaj zone.Duke qenë edhe një zonë bujqësore, Duka është zotuar se me hyrjen në Parlament do të lobojë për të ulur akcizën e naftës, pra karburantet për bujqësinë të jenë me çmim të reduktuar, sepse sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të konkurojmë me mallrat e rajonit.“Unë kam qenë iniciatori që të hiqet akciza e naftës në bujqësi, pra karburantet për bujqësinë të jenë me çmim të reduktuar, sepse nuk mund të konkurojmë mallrat e rajonit me këtë çmim që kanë sot produktet bujqësore. Që në start ne jemi të dështuar , që do të thotë që në qoftë se prodhohet një produkt bujqësor, rrushi psh, një kg rrush prodhohet më shtrenjë sesa prodhohet në Maqedoni, natyrisht maqedonasi do na konkurojë , kjo për arsye të kostos, jo për arsye të paaftësisë sonë, sepse ne e kemi traditë bujqësinë, sidomos kjo zonë këtu dhe ne dimë të punojmë në bujqësi. E duam tokën dhe dimë ta punojmë atë. Problemi është që kostoja e prodhimit bujqësor këtu tek ne për këto arsye është shumë e lartë. Unë do të ndikoj, vazhdimisht kam ndikuar në programin që thashë më parë, dhe kryeministri me sa kam parë në disa takime ka marrë angazhimin që do ta reduktojë çmimin e naftës dhe për karburantet për bujqësinë do ta heqi akcizën por ka dhe disa gjëra të tjera të cilat përdoren në bujqësi , impute bujqësore të cilat e rëndojnë koston e lartë të produktit bujqësor, siç janë farat, pesticidet, plehrat , etj. Pra, në përgjithësi do jetë një ndikim i imi që të ulet kostoja e produkteve bujqësore” tha ai.Duka është ndalur edhe tek nisma e PS për taksën progresive, i cili ka shprehur mosdakordësi.