Mbyllet projekti i BE për Kuvendin për përmirësimin e proçedurave legjislative

Përfundoi projekti i binjakëzimit i financuar me €1.5 milion nga BE, mes Kuvendit të Shqipërisë, kuvendeve hungareze dhe franceze dhe Senatit francez. Ekspertë të nivelit të lartë nga legjislativët e këtyre dy shteteve anëtare, së bashku me ekspertë nga Parlamenti kroat, portugez, dhe evropian punuan me Kuvendin e Shqipërisë për të përmirësuar aftësinë e tij për të ofruar ligje që promovojnë demokratizimin e vendit dhe proceset integruese dhe për të mbikëqyrur Ekzekutivin dhe funksionimin e institucioneve të tjera kushtetuese.Në të gjitha shtetet demokratike, funksionimi i Kuvendit është i rëndësisë më të lartë për të garantuar ligje të zbatueshme, ligje që përparojnë të drejtat politike, ekonomike, sociale dhe civile të qytetarëve, ligje që përfaqësojnë nevojat dhe interesat e shoqërisë, ligje që i shërbejnë avancimit të vendit. Ky institucion është i rëndësishëm në sistemin e kontrolleve dhe balancave të pushteteve brenda një shteti demokratik, dhe ka një rol të pazëvendësueshëm dhe autonom në mbikëqyrjen e Ekzekutivit dhe institucioneve të tjera kushtetuese, për të siguruar që edhe ata i shërbejnë qytetarëve dhe gëzimit të të drejtave demokratike duke promovuar të mirën e përbashkët dhe interesat kombëtare.Raporti Analitik që shoqëroi Opinionin e vitit 2010 të Komisionit Evropian për aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, si dhe Raporti i Progresit i vitit 2011, identifikuan disa mangësi në funksionimin e Kuvendit. Reforma parlamentare u bë pjesë e rëndësishme e agjendës politike dhe e marrëveshjes së nëntorit të vitit 2011 mes dy partive kryesore shqiptare. BE-ja u përgjigj duke angazhuar ekspertë nga kuvendet franceze dhe hungareze, Senati francez dhe nga shtete të tjera të BE-së për të punuar me Kuvendin e Shqipërisë.Gjatë ceremonisë përmbyllëse, Shefi i Sektorit të Politikës, Ekonomisë dhe Informimit pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Clive Rumbold, vuri në dukje se “ky projekt binjakëzimi, i mbështetur me 1.5 milionë euro nga xhepat e taksapaguesve evropianë në një kohë vështirësie financiare për të gjithë ne, vuri në dispozicionin tuaj përvojën e vendeve anëtare të BE-së, të reja e të vjetra, si dhe të Parlamentit Evropian – për të përmirësuar punën e Kuvendit tuaj, qendrës së democracisë suaj. Rregullorja e Kuvendit, e cila u votua javës që shkoi, reflekton disa nga propozimet e bëra nga ky binjakëzim. Besoj se Rregullorja e re do të sjellë vërtet përmirësime në punën e Kuvendit në shërbim të qytetarëve tuaj”.Gjatë 18 muajve të fundit, ekipi i këtij projekti binjakëzimi prej 1.5 milionë eurosh ka këshilluar dhe trajnuar intensivisht për përmirësimin e procedurës legjislative për të mundësuar një proces më efikas të përafrimit legjislativ me BE-në; forcimin e kapaciteteve të Komisionit për Integrimin Evropian për punën legjislative dhe koordinimin për përshtatje me standardet e BE-së, si edhe për ndërgjegjësimin për procesin e integrimit; forcimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes të të gjithë komisioneve të përhershme; transparencë më të lartë të punës së Kuvendit, dhe përmirësimin e menaxhimit të buxhetit dhe burimeve njerëzore parlamentare, në përputhje me standartet e BE-së.