"Zhduket" Dinamo Tirana, klubi legjendar ndryshon gjithçka, madje edhe qytetin

Futboll Klub Dinamo nuk do të ekzistojë më sepse shumë shpejt, stema e dytë më e suksesshme e futbollit shqiptar do të transformohet rrënjësisht duke u përfshirë në galaktikën "City" të akademisë që "City group" do të ndërtojë në Durrës.

Sipas Supersport, Dinamo do të  ndryshojë logon, emrin në Dinamo City por edhe qytetin pasi do të ketë akademi dhe qëndër në Durrës duke u zhvendosur në qytetin bregdetar.

E krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nga Ministria e Brendshme në Tiranë, Dinamo është klubi i tretë i madh i kryeqytetit por pasi mbeti pa shtëpi dhe për shumë vite pa një klub të qartë prapa krahëve, tashmë marka e njohur e futbollit shqiptar do të marrë një drejtim të ri.

Nuk dihet ende nëse 18 titujt do të vazhdojnë t'i njihen me ndryshimin e emrit por aksionerët e rinj që pritet të hyjnë në lojë do t'i japin një drejtim të ri klubit dinamovit.