Dhunuan gazetarin Elvis Hila, arrestohen pas disa muajsh autorët Indrit Ameri dhe Paulin Përgjini
Policia e Lezhës ka arrestuar dy personat që ushtruan dhunë ndaj gazetarit Elvis Hila në Lezhë me 25 janar të këtij viti. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, ndërsa Indrit Ameri dhe Paulin Përgjini ishin të arratisur prej ditës së ngjarjes.
Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy autorët që dhunuan gazetarin Elvis Hila dhe bashkëshorten e tij me 25 janar të këtij viti.
Indrit Ameri dhe Paulin Përgjini ranë në prangat e policisë të dielën e 7 majit, pas disa muajsh kërkimesh.
Gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë arrest në burg.
Hila së bashku me bashkëshorten e tij u dhunuan pas raportimeve të tij në lidhje me një vendim gjykate.
Gazetari Elvis Hila u sulmua fizikisht nga dy persona teksa ishte me bashkëshorten e tij, ndërsa ngjarje erdhi pas një lajmi të raportuar për dënimin e një personi që ishte dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale "Falsifikim Dokumentash".
Dhuna ndaj gazetarit solli reagime të shumta të shumta të përfaqësuesve të politikës në nivel vendor dhe qendror në vendin tonë, ndërsa Organizatat ndërkombëtare bënë thirrje disa herë që autorët të vihen para drejtësisë.
