U kap duke dhunuar familjarët, arrestohet i riu në Elbasan, në shtëpi i gjendet kokainë

Policia e Elbasanit ka njoftuar se ka parandaluar një përshkallëzim të konfliktit në familje pasi ka arrestuar një 29-vjeçar i cili dhunonte familjarët e tij.

Ndërhyrja në banesën e tij ka ardhur pas njoftimit se i riu ushtronte dhunë ndaj familjarëve, ndërsa brenda shtëpisë iu gjet edhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Leonard Zhupani u arrestua nën akuzën e veprave penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

"Shërbimet e Policisë, pas njoftimit se një shtetas kishte dhunuar familjarët e tij, menjëhere kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në banesën e kësaj familjeje, në lagjen “28 Nëntori”.

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në këtë familje, duke kapur dhe ndaluar 29-vjeçarin që ushtronte dhunë ndaj familjarëve të tij.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin L. Zh., 29 vjeç, për veprat penale "Dhuna në familje" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", pasi ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale," njoftoi policia.