Dhuna ndaj gazetarit Elvis Hila/ Çështja shkon në Prokurori, ngrihen dy akuza për autorët
Prokuroria e Lezhës ka marrë në dorë çështjen e dhunës ndaj gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Autorët e dyshuar të ngjarjes mbeten ende në liri, por ndaj tyre janë ngritur dy akuza. Indrit Ameri dhe Paulin Përgjini do të përballen me "Plagosja e Rëndë me dashje" dhe "Goditje për shkak të detyrës"
Ngjarja e ndodhur pasditen e së mërkures në Lezhë, ku u dhunuan gazetari Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij, është referuar në prokurori.
Ndaj dy autorëve Indrit Ameri 35-vjeç banues në Pllanë dhe Paulin Përgjini 32-vjeç banues në Manati, janë ngritura akuzat "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Goditje për shkak të detyrës".
Nën drejtimin e prokurorit Sabri Kastrati, policia ka kryer njësërë veprimesh hetimore, duke administruar çdo provë dhe dëshmi në vendin e ngjarjes, ndërsa vijon puna për prangosjen e dy agresorëve të cilët u larguan me shpejtësi pas ngjarjes.
Uniformat e Lezhës, të mbështetur dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme, por pa mundur ende që të bien në gjurmët e autorëve.
Gazetari Elvis Hila u sulmua fizikisht nga dy përsona, teksa ishte me bashkëshorten e tij, ndërsa ngjarja erdhi pas një lajmi të raportuar për dënimin e një përsoni që ishte dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale "Falsifikim Dokumentash".
Dhuna ndaj gazetarit solli reagime të shumta të përfaqësuesve të politikës në nivel vendor dhe qëndror nga gazetar dhe organizata brenda dhe jashtë vendit.

