“Bujqit” e vegjël të shkollave, nxënësit me ndihmën e mësuesve mbjellin fruta e perime
Në shkollën “Sabaudin Gabrani” në Tiranë prej marsit nxënës e mësues kanë ngritur një miniserë. Përmes saj fëmijët edukohen mbi mjedisin e mësojnë të kultivojnë kulturat bujqësore. Ministrja Kushi ka premtuar se projekti “Toka në shkolla” do të shtrihet në të gjitha institucionet arsimore në vend.
Është rutina e çdo mëngjesi. Dritani e nis ditën duke u kujdesur për bimët e miniserës së shkollës Sabaudin Gabrani.
Aty, bashkë më shokët e shoqet e klasës kanë mbjellë me dashuri perime e fruta.
Detyrat i kanë të ndara. Dritani merret me ujitjen.
"Vij me sanitaren çdo mëngjes dhe kujdesemi, i ujitim dhe rregullojmë dheun," tha ai.
Livia punon tokën.
"Unë kam mbjell sallatë dhe majdanoz," tha ajo.
Isla mbledh prodhimin.
"Luleshtrydhja do një kujdes të veçantë sepse është një bimë shumë e vështirë për tu rritur. Kur vjen këtu relaksohesh. Kur merresh me bimët është joga për mendjen," tha ajo.
Tufat e para të sallatës e majdanozit ua shpërndanë njerëzve në nevojë.
Ndërsa Samanta çdo të premte monitoron ecurinë dhe rritjen e bimëve të vogla.
"Si janë kujdesur nxënësit, nëse i kanë mbajtur mirë, mundohemi që çdo ditë ta opërsojmë më shumë," tha ajo.
Në përmbushjen e këtyre detyrave në krah kanë Teftën, sanitaren e shkollës por me përvojë edhe në bujqësi.
Ndërtimi i kësaj minisere erdhi si pjesë e projektit të Ministrisë së Arsimit “Toka në shkolla”.
Synon të nxisë përkushtimin e fëmijëve ndaj mjedisit por edhe t`i mësojë ata në kultivimin e kulturave bujqësore.
"Nuk ka gjë më të bukur kur mëson se nëpërmjet punës mund të arrihet gjithçka që kemi në tavolinë. Pse jo të marrim nisma me që produktet tona ti shesim në oborrin e shkollës dhe të na i blejnë prindërit dh ekomuniteti. Kështu nxisim tek fëmija ndjenjën e sipërmarrjes," tha drejtoresha.
Drejtorja e Shkollës Astasi Keri tregon se të vegjlit e kanë mirëpritur projektin.
E sheh shumë të dobishëm pasi i bën ata aktivë e i mban larg, qoftë edhe për pak, paisjeve teknologjike.
"Ka ardhur momenti që fëmijët për tu shkëputur nga gjërat e gatshme dhe nga teknologjia," tha ajo.
Projekti i nisur nga Shkolla speciale "Luigj Gurakuqi" në Tiranë synon të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.