Lushnje/ 30 vjeçari i akuzuar për vrasje kapet me pistoletë e thikë me vete
Një 30-vjeçar i akuzuar më parë për vrasje është arrestuar me armë në makinë.
"Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” në të cilin udhëtonte shtetasi M. P. Gjatë kontrollit në çantën e krahut të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 pistoletë, 1 krehër me 7 fishekë dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 30 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për vrasje në rrethana të tjera cilësuese," njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
