Digjen mbi 3 mijë rrënjë ullinj, zjarri në Kuman të Fierit dyshohet të jetë i qëllimshëm
Mbi 3 mijë rrënjë ullinj u shkrumbuan të dielën në Kuman të Fierit. Flakët u favorizuan nga era e fortë dhe dogjën gati 10 hektarë tokë.
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu kodrat me ullishte në Kuman të Fierit të dielën.
Të favorizuara nga era flakët u përhapën në një sipërfaqe mbi 10 hektarë.
Era e fortë dhe terreni i vështirë për ndërhyrjen e zjarrfikësve bën që dëmet materiale të ishin të mëdha.
Të paktën 3 mijë rrënjë ulliri u shkrumbuan.
"Dëmet paraprake të vlerësuara deri më tani nga specialistët e bujqësisë janë 9-10 hektarë tokë dhe deri në 3 mijë rrënjë ullinj të rritur."
Nënkryetari i Bashkisë Rroskovec tha se u angazhuan 4 mjete të shërbim zjarrfikës.
"Të 4 zjarrëfikëset janë futur në punë nga të tëra rrugët për ndaljen e sjarrit."
Por banorët thanë se ato nuk mbërritën në kohë në vatrat e zjarrit për shkak të mungesës së rrugës, ndërtimin e të cilës fermerët e kanë kërkuar prej vitesh.
"Dy parcelat e kanë pasur të nevojshme që të kishin rrugë por nuk u bë e mundur."
Zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm ndaj në terren po punohet për identifikimin dhe ndalimin e autorit.