Durrës, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë

Është kapur dhe vënë në prangat e policisë një 31-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, njofton policia.

Kapja u bë falë operacionit policor të koduar "Viaggo".

Specialistët e Seksionit Për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, po tentonte të hynte në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit.

"Policia Kufitare kanë ushtruar kontrolle të detajuara dhe falë intervistimeve të thelluara, bazuar dhe në informacionet e siguruara më parë nga DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Viaggo", u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në hyrje, në Portin e Durrësit, i shtetasit S. E., 31 vjeç, banues në Tiran. 

31-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Në muajin prill 2019, në rrugën "Lisi", në Fushë-Mëzez, shtetasi S. E., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasve D. H. dhe Z. Q.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.