I vendoset zjarri pikës së grumbullimit të mbetjeve në lagjen "24 Maji" në Vlorë

Një pjesë e Vlorës është  mbuluar nga re tymi këtë mëngjes.

Shkak ka qenë djegia e mbeturinave në pikën e grumbullimit në lagjen 24 Maji.

Ndotja është tejet e lartë, madje edhe e rrezikshme për shkak të lëndëve që janë djegur.

Autoritetet kanë deklaruar se dyshohet se zjarrëvenia ishte e qëllimshme, por pa bërë të ditura arsyet e këtij veprimi që solli ndotje të lartë.

Për shkak të erës së fortë flakët janë përhapur me shpejtësi duke sjellë probleme edhe për rreth 500 banesat pranë landfillit.

Për shuarjen e tij janë njoftuar menjëherë edhe zjarrëfikësit, teksa tymi ka ndotur një zonë të madhe duke u shtyrë edhe më shumë drejt qytetit.

Por duket se flakët kanë sjellë në vëmendje një tjetër problematikë me mbetjet e qytetit.

Kjo pasi venddepozitimi në lagjen 24 Maji do të mbyllej pas realizimit të Investimit prej gati 21 milionë euro për ndërtimin e landfillit në Sherishtë që do të shërbente edhe për riciklimin e mbetjeve.

Por edhe pas dy vitesh nga deklarimi për nisjen e punimeve ai ende nuk u shërben qytetarëve të Vlorës.