Kroaci, aksidentohet autobusi me targa shqiptare, humb jetën një person, plagose disa të tjerë

Një person ka humbur jetë ndërsa disa të tjerë janë plagosur pasi një autobus me targa shqiptare u aksidentua në Kroaci. 

"Një person ka humbur jetën dhe disa janë plagosur në një aksident trafiku në autostradën A-1, në drejtim të veriut, në afërsi të kryqëzimit të Brinjës. Aksidenti ka ndodhur mbrëmë në orën 23:43, kur një autobus me shenja kombëtare shqiptare për arsye të panjohur ka kthyer në të djathtë, ka përplasur një gardh dhe është përmbysur në anën e majtë të tij", njofton policia. 

Në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin nëntë pasagjerë dhe shoferi. Autobusi drejtohej nga një shtetas shqiptar 58-vjeçar. 

Të lënduarve iu është ofruar ndihma mjekësore në spitalet e përgjithshme në Karlovac dhe Ogulin.

Komunikacioni në autostradën A1 ndërmjet udhëkryqit Ogulin dhe Brinjë në kilometrin 112 është ndërprerë në të dy drejtimet për shkak të një aksidenti trafiku, njofton HAK. 

Për shkak të kushteve dimërore në rrugë, HAK këshillon drejtuesit e mjeteve që të rregullojnë shpejtësinë dhe stilin e vozitjes, të ruajnë distancën e sigurt ndërmjet automjeteve dhe të mos nisen pa pajisjet e duhura dimërore.