Spektakël me makinë në rrugët e Pogradecit, gjobitet shoferi. Policia ndalon edhe një person për kanosje me celular

Qarkulloi me shpejtësi tej normave të lejuara, në trotuar, në qendër të banuar, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj, drejtuesi i automjetit.

“Menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti që leviz me shpejtësi tej normave të lejuara, në trotuar, në zonë të banuar, në Pogradec, konkretisht në rrugën "10 Dëshmorët e Pojskës", shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të automjetit që shfaqej në video, shtetasit D. S. Për kundërvajtjen e kryer, konkretisht për shkelje të nenit 139, pika 3 dhe 8 të Kodit Rrugor, në bazë të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998, ndaj shtetasit D. S. u vendos masa administrative 40 000 lekë të rinj.  Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se aktualisht automjeti nuk posedohet nga shtetasi D. S, por nga një shtetas tjetër”, njofton policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore.

Po në Pogradec, "specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, për veprat penale "Kanosja" dhe "Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike", në ngarkim të shtetasit B. S., 32 vjeç, banues në Pogradec, dhe po punojnë për kapjen e tij, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit, një 39-vjeçar".

Ndërsa, më datë 24.02.2023, në Komisariatin e Policisë Devoll, është paraqitur shtetasi K. S., 66 vjeç, banues në Bilisht, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa ku jetonte i vetëm, një i afërm i tij, 76 vjeç. Policia thotë se po punohet për gjetjen e tij, ndërsa materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Pogradec dhe Korçë, për veprime të mëtejshme.