Arrestimet te "Financat", PS "lan duart", Balla: Përgjegjësitë janë personale. Amnistinë e miratojmë këtë sesion!

Mazhoranca i quan përgjegjësi personale abuzimet në ministrinë e financave që u pasuan me arrestime nga prokuroria. pas mbledhjes së grupit parlamentar Taulant Balla konfirmoi se qeveria nuk tërhiqet nga amnistia fiskale e cila do të miratohet në këtë session parlamentar. Ai pohoi se kryeministri rama ka qenë kritik me deputetët duke u kërkuar të jenë më prezentë në zonat e tyre dhe më aktivë në jetën parlamentare.

“Nuk kam asnjë koment kur bëhet fjalë për arrestime, por kam vetëm përshëndetje" 

Me këtë deklaratë, kreu i grupit parlamentar të partisë socialiste u distancua nga arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj ndaj të cilit Prokuroria e Tiranës vendosi masën arrest me burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Deklarata u bë pas mbledhjes së grupit parlamentar ku mazhoranca ka konfirmuar se nuk tërhiqet nga amnistia fiskale.

"Mbi çdolloj vendimi politik të marrë nga pjesë të caktuara të opozitës, ajo që është e rëndësishme është nevoja që kanë njerëzit sot dhe ekonomia e Shqipërisë për të miratuar ligje të tilla. Në këtë aspekt, amnistia do të jetë pjesë e këtij sesioni dhe do të miratohet këtë sesion parlamentar", tha Balla.

Balla konfirmoi se kryeministri pati një qëndrim kritik ndaj deputetëve duke u kërkuar të angazhohen më pranë qytetarëve, tëq cilët i cilësoi aleatët e vetëm në zgjedhjet e 14 majit.

"U është kërkuar një prezence më e shtuar në territor dhe natyrshëm kryetari i partisë ka pasur një sërë kërkesash që i bëjnë mirë anëtarëve të PS-së", tha Balla.

Pavarësisht se mazhoranca nuk i ka votat për Avokatin e Popullit, kreu i grupit socialist fajësoi opozitën për vonesën e procesit.

"Opozita nuk është serioze në përgjegjësitë e veta", tha ai.

Përsa i takon kthimit të ligjit për dekoratat nga presidenti i vendit Bajram Begaj, balla u shpreh mirëkuptues dhe shtoi se komisioni i ligjeve dhe grupi parlamentar do të bashkëpunojnë për të zgjidhur dhe adresuar problematikat e ngritura nga kreu i shtetit.