“Mafia i mori jetën dëshmitarit” Berisha: Enver Sheshi humbi jetën tek 313-ta sa vendosi të fliste
Sali Berisha akuzoi mafien e incineratorëve për vrasjen e 59-vjeçarit Enver Sheshi brenda burgut 313. Sipas Berishës, i arrestuari për çështjen e incineratorëve kishte vendosur të fliste, por u gjet i vdekur në rrethana misterioze. Opozita denoncoi edhe faktin se vëzhguesit e pavarur janë penguar të shikojnë rrethanat e ngjarjes brenda në burgje.
Enver Sheshi humbi jetën në qelitë e burgut 313, pasi kishte vendosur të fliste për aferën e incineratorëve.
Sali Berisha denoncoi nga selia e PD se mafia e incineratorëve me këtë ngjarje i mbylli gojën të arrestuarit për aferën e trajtimit të mbetjeve.
"Jam këtu për të denoncuar dhe njëherë errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e Enver Sheshi, i arrestuar për incineratorët.
Menjëherë pas komunikatës zyrtare që ngjallte me shumë dyshime se sqarime një breshëri mesazhesh nga qytetarë që shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri është viktimë e mafies së djegësve, qeveritare të djegësve.
Xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme që ka direkt për kokë Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve ta çojë në botën etjetër dëshmitarin e rrezishme," tha Berisha.
Duke iu referuar pengesave që ndeshën në burgje vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit gjatë verifikimit të ngjarjes, kreu i PD i drejtoi një thirrje Komitetit të Këshillit të Europës dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
"I bëj thirrje Komitetit të Antitorturës të Këshillit të Europës, Komisionit të të drejtave të njeriut të OKB, por dhe Amnesty International të bëjë gjithçka për të kontribuar në zbardhjen e vdekjes së këtij qytetari," tha ai.
Tritolin ndaj banesës së shefit të krimeve në Shkodër, Berisha e cilësoi dëshmi flagrante e fuqisë së mafias të lidhur me qeverinë.
"Vendosja e Shkodrës në një sistem kamerash të specializuara nga organizata kriminale është dëshmia më flagrante e gjithëfuqisë së mafias në këtë vend. Mendoni se është vetëm Shkodra? Apsolutisht jo. Është çdo pjesë e këtij vendi," tha ai.
Berisha deklaroi se alternativa e Partisë Demokratike do të jetë lufta pa tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.