Mehmeti: Ne opinionistët e manipulojmë publikun po aq sa politikanët, është bërë e turpshme të dalësh në TV
Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti i ftuar te “Një grusht librash” në emisioni O”Ora e Betit” në RTV Ora, duke iu përgjigjur interesimit të moderatores Beti Njuma, sqaroi dhe mungesën e tij publike sa i përket analizimit të ngjarjeve politike.
Ai tha se sot opinionistët sot e manipulojnë publikun po aq sa politikanët dhe shtoi se shumica e medieve kontrollohet nga Veliaj dhe Rama.
Mehmeti: Kjo puna jonë doli të jetë që: “Budallai flet dhe budallai dëgjon”! dhe ky është efekti i gjithë kësaj. Pastaj filloi të më pengojë shumë kjo posaçërisht. Besomë që të gjithë ne që flasim e manipulojmë këtë popull. Jemi aq manipulues aq sa ç’janë dhe politikanët. Ne jemi goja e politikanëve. Ne jemi të paguarit e politikanëve, argatët e tyre, ne jemi po aq mëkatarë sa gjithë këta që ne i shajmë. Po ne çfarë shajmë? Unë shaj hajdutin e partisë tjetër, mirëpo hajduti i partisë time është i mirë se më jep dhe mua.
Këto janë opinionistët sot, nuk dua t’i përgjithësoj, mirëpo 99% këta jemi ne opinionistët, që ne dalim në ekran që të mbrojmë hajdutin tonë; që të mbrojmë politikanin tonë; qytetarin tonë të partisë. Edhe kjo aq erdhi dhe u forcua si shprehje saqë ju e shihni se çfarë ndodh në Shqipëri. Në Shqipëri ju i keni mediat dhe mund t’i shihni ç’bëhet. Unë e di që edhe ndonjëherë në ato mediat që i kontrollon kryebashkiaku, ato mediat që i kontrollon piktori (E ka fjalën për Edi Ramën) të lejojnë të dalësh, dhe atëherë vetëm ju shërben atyre, se ata thonë më pas: “Ja ky na kritikon, dhe ju thoni që ne e kontrollojmë median”.
Kështu që unë jam ndjerë i mjerë kur e kam parë që vërtetë u shërben atyre edhe atëherë. Ka arritur puna deri në absurditetin më të madh saqë është kthyer të jetë e turpshme që të dalësh në ekran dhe të flasësh për politikë. Po për cilën politikë? Ku ka në Shqipëri politikë? Ku ka në Shqipëri parti politike? Ka sekte politike, dhe nuk ka politikë aspak në qeveri. Ke 10 veta që e kanë shndërruar në pronë të tyre këtë shtet. Në këtë vend ka hajdutër, ky njëra ia vjedh 120 mijë euro atij që ka vjedhë 500 mijë. Pra tani edhe hajdutët po vjedhin njëri-tjetrin se u harxhua ajo çfarë duhej vjedhur.
Emisioni “Ora e Betit” nga Beti Njuma transmetohet çdo të martë dhe të mërkurë në RTV Ora, në orën 20:45.
Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

