Një tjetër "llum" në Ministri, zyrtari i Financave po i vidhte shtetit 1.2 mln euro

Një tjetër “llum”, siç i cilësoi kryeministri vartësit e përfshirë në korrupsion u pastrua nga administrata e shtetit. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, një drejtor i këtij institucioni dhe një përmbarues u vunë në pranga pasi në bashkëpunim po i vidhnin shtetit 1.2 milion euro. Skema ishte bazuar në kompensimin  e një biznesmeni po ashtu të arrestuar.

Një tjetër zyrtar i qeverisë u konfirmua i zhytur në "llum" siç vetë Kryeministri i cilësoi personat që kapen në shkelje të ligjit.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, që më herët ka mbajtur detyrën e drejtorit të Doganave u vu në pranga me akuzën  për “Shpërdorim të Detyrës”.

Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi gjyqësor privat, Alban Ruli, u arrestuan me të njejtën akuzë.

Në bashkëpunim, firmosën dokumente në shkelje të ligjit për ti kaluar 1.2 mln euro Ilir Thanës, si kompensim për privatizimin e një ndërmarrje shtetërore pavarësisht se ai ishte paguar nga Ministria e Financave në vitin 2015.

Prokuroria bën të ditur se rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën 48.118.366 Lekë.

Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor një gruaje.

Ndërsa zyrtari i Ministrisë së Financave, drejtori dhe përmbaruesi pranuan ryshfet 82 mln lekë.

Pjesa tjetër e parave Ilir Thanës do t’i kalonte në muajt në vijim, por skema e mashtrimit u zbulua.

Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit Ilir Thana dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.

Vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në skemën që do ti kushtonte buxhetit të shtetit 1.2 mln euro.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.