Çuçi e Manja kërkojnë aministinë: Pjesë e saj vetëm ata që kanë fituar 2 milionë euro me djersën e ballit

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka dalë në mbrojtje të nismës së shefit të tij në kabinetin qeveritar Edi Rama për një amnisti fiskale të të gjithë atyre emigrantëve që kanë siguruar ardhura deri në 2 milionë euro nga puna në të zezë.

“Por, nga kjo amnisti do të përjashtohen kategorikisht çdo para që vjen nga burime të dyshimta, apo kriminale”, garantoi Çuçi.

Në të njëjtën linjë u shpreh dhe kolegu i tij në krye të ministrisë së Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se ai është bashkëhartues i kësaj nisme, e cila sipas tij nuk do të përdoret për pastrimin e parave.

Deklaratat e ministrave vijnë në një kohë kur ndërkombëtarët nuk i kanë kursyer paralajmërimet e tyre dhe skepticizmi i tyre për realizimin e amnistisë fiskale në Shqipëri, të cilat vijojnë të mos ndikojnë në qeverinë e drejtuar prej Edi Ramës.

Sipas nismës, të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë territorit do të mund të ligjërojnë deri në 2 milionë euro, pavarësisht sesi i kanë krijuar të ardhurat.

E njëjta shumë është e lejuar edhe për bizneset qoftë subjekte apo persona fizik. Për kalimin në bankë të shumave do të paguhet një tatim që shkon nga 4 deri në 10 për qind, dhe pas kësaj nuk do të ketë më procedim hetimor, tatimor apo administrative duke u garantuar ruajtjen e sekretit.