Zhdukja e Martinaj, Çuçi: S'kemi shkop magjik! Policia po merret çdo ditë, por s`do flasim pa prova

Policia nuk ka shkop magjik për zbardhjen e zhdukjes së Ervis Martinajt dhe do të flasë për këtë çështje vetëm pasi të ketë prova të forta. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në raportin për punën e vitit të kaluar duke theksuar se 2022 shënoi rënie rekord në numrin e vrasjeve. Viti 2023 sipas tij do të shënojë rinisjen e vetingut në polici dhe shtetëzimin e kompanisë së prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pranoi se ende nuk ka rezultate nga policia në hetimin e zhdukjes së Ervis Martinajt, por shtoi se do të flasë vetëm kur të ketë prova të forta.

"Pa diskutim që ka pasur një vëmendje të posaçme për të zbardhur gjithë këtë mjegull që është krijuar për fatin e Ervis Martinaj. Policia po bën punën por edhe ka komunikuar më publikun për këtë gjë. Nga polica e shtetit do merrni përgjigje përfundimtare vetëm kur të ketë një provë të fortë. S’ka shkop magjik të zbardhë çështjet në kohë kaq të shpejtë, e sidomos për një person me precedent penal kaq të komplikuar".

Deklarata u bë gjatë prezantimit të statistikave të punës për vitin 2022, ku sipas Çuçit numri i vrasjeve është ulur në minimumin historik.

Ky vit sipas Çuçit do të shënojë rinisjen e vetingut në polici që do të kryhet nga agjencia policore, dhe kalimin e prodhimit të ID-ve dhe pasaportave tek kompania shtetërore që do të zëvendësojë koncesionarin aktual.

Ministri i Brendshëm foli edhe për amnistinë fiskale, ku vuri në dukje se prej saj janë përjashtuar politikanët, zyrtarët dhe personat me precedent penal.