Kokainë në klubet e natës në Tiranë, dy të rinj në pranga, një në kërkim

Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në lokalet e natës.

Një i tretë, bashkëpuntor me ta është shpallur në kërkim.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Clubs” u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., 25 vjeç dhe V. Ç., 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

"Nga hetimet e kryera me metoda proaktive ka rezultuar se këta 3 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të drogave të forta, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në klubet e natës," njoftoi policia.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokaine, 1 tabelë policie, 3 automjete, 5 aparate celulare, 1 peshore elektronike, 76 800 lekë të rinj dhe 175 euro, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Kokainë në klubet e natës në Tiranë, dy të rinj