Nisi dëbora dhe në Korçë, nuk ka probleme në akset rrugore

Mbrëmja ka sjellë reshjet e para të dëborës në Korçë për këtë vit.

Reshjet e borës kanë rënë në lartësinë 1250 metra, përfshirë këtu edhe segmentin rrugor nga muri i Musait e deri në Dardhë.

Dëborë ka pasur në Shtyllë e deri në majë të Mashkullorës, ashtu siç ka pasur edhe në fshatrat e Vithkuqit, si dhe në fshatrat rrëzë malit të Gramozit në Kolonjë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar sektori Korçë, bën me dije se është punuar gjatë natës për pastrimin dhe kriposjen e rrugës së Dardhës, aty ku trashësia e borës ka shkuar deri në 10 cm.

Nga ana tjetër nga ana e bashkisë Korçë, është punuar edhe për pastrimin e rrugës nga Vithkuqi në Shtyllë dhe më tej edhe drejt majës së Mashkullorës.

Nuk raportohen probleme përsa i përket lëvizjes në fshatrat e thella ku ka pasur edhe reshje dëbore.