Edhe vëllai i Alda Klosit kallëzon pastruesen në polici, njohu bizhutë e gjetura në shtëpinë e Rozetës
Leonard Ciko dhe Altin Dine janë dy kallëzues të tjerë që kanë shkuar në komisaritin nr 2 dhe kanë bërë kallëzim për vjedhje.
Ciko dhe Dine janë kontaktuar nga policia dhe më pas kanë bërë kallëzim pasi rezulton të jenë vjedhur.
Leonard Ciko rezulton të jetë vëllai i Alda Klosit (Ciko), ish-shefe kabineti e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Rezulton se Rozeta Dobi ka punuar si pastruese në banesat e tyre.
Mësohet se ai ka njohur një unazë, varëse dhe një byzylyk nga sendet që janë gjetur në banesën e Rozeta Dobit dhe që janë sekuestruar si prova materiale.
Arrestimi i Rozeta Dobit dhe djalit të saj Havier Dobit më 7 janar 2023 zbuloi një thesar të vërtetë mes objekteve që ata kanë vjedhur. Bëhet fjalë për më shumë se 110 bizhuteri të ndryshme, por edhe çanta, portofole, varëse dhe ora të markave luksoze.
Ky thesar sendesh të çmuara është bërë shkak për zgjerimin e hetimeve, pasi pre e vjedhjes dyshohet se kanë rënë edhe persona të tjerë ku kanë punuar më parë dy të arrestuarit.
Vjedhja në banesën Alda Klosit, ish shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt, në kohën kur ai mbante postin e zëvendëskryeministrit, njëherësh këshilltare në kryeministri rezulton të ketë ndodhur më 15 dhjetor 2022. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Rozeta ka marrë 500 mijë euro në kasafortën e Alda Klosit.
“Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim shtetasit Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldes. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri. Pasi e ka hapur atë brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500,200,euro dhe 100 dollar, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj. Deklaron se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi.”, thuhet në dosjen e siguruar nga Ora News.

