Arrestohen mashtruesit e bizneseve në Kamëz, me "Telegram" u merrnin donacione në emër të vendorëve
Një shtetas nga Tirana dhe dy nga Vlora janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen se përmes mashtrimit u merrnin para bizneseve në Kamëz.
Grupi përdorte aplikacione si Signal dhe Telegram dhe u kërkonte bizneseve donacione në emër të përfaqësuesve vendorë.
“Grupet, për realizimin e qëllimit të tyre, kanë përdorur aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me operatorët ekonomikë, duke u kërkuar donacione në emër të përfaqësuesve vendorë, por jo vetëm, deklaroi Gentian Berberi, shefi i seksioni i krimit ekonomik-financiar duke dhënë detajet e operacionit të koduar “Subjekti”
Vetëm më 7 janar ata kishin arritur të përfitonin përmes mashtrimit 25 mijë euro.
"Të tre këta shtetas, pas informacioneve nga strukturat hetimore, u kapën në flagrancë, në Kamëz, gjatë tentativës për të përfituar përmes mashtrimit, shumën 13 000 euro, nga administratori i një subjekti privat. Nga tërësia e veprimeve hetimore, ka rezultuar se në datën 7 janar 2023, këta shtetas kishin përfituar, po përmes mashtrimit, edhe shumën 12 000 euro" tha shefi i policisë në konferencën për median.
Operacioni
Policia kishte informacione se disa shtetas vepronin në formën e një grupi kriminal, mashtronin në disa biznese në Kamëz, duke përfituar prej tyre, shuma të konsiderueshme në euro dhe në lekë.
Në kuadër të operacionit të koduar "Subjekti" u arrestuan
E. L., 41 vjeç, banues në Tiranë,
E. J., 32 vjeç banues në Vlorë
G. I., 39 vjeç, banues në Vlorë.
Në vijim të veprimeve, për këtë rast, u bë shpallja në kërkim e shtetasve I. K. dhe F. Gj., bashkëpuntorë të 3 shtetasve të arrestuar dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Operacioni policor u ndërmor në kuadër të operacionit tjetër policor të koduar "Signal" ndërmarrë 4 ditë më parë, kur u arrestuan tre banorë të Shkodrës, Jasim dhe Rezart Pepa si dhe Sherif Kadrovic të cilët akuzohen se përmes mashtrimit duke u hequr si zyrtarë shteti u merrnin para bizneseve të ndërtimit në Tiranë. Atyre iu sekuestruan rreth 142 000 euro.
Policia u bënb thirrje operatorëve ekonomikë në të gjithë vendin, që të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, në ato vendore dhe qendrore, çdo rast të dyshuar apo në rast se janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale.
Çfarë iu gjet
Gjatë operacionit policor të koduar “Subjekti”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 10 100 euro, 50 000 lekë të rinj, 2 automjete të përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, fatura transaksionesh, 6 celularë dhe sende të tjera.
