Arrest me burg për Gentian Malindin, u kap pas dy vitesh në arrati për trafikimin e 137 kg kokainë
Gjykata e Posaçme vendosi sot (29 tetor 2022) të lërë në burg pa afat Gentian Malindin, i cili u arrestua më 27 tetor 2022 teksa lëvizte me një automjet në Vorë.
Prej dy vitesh ai ishte në kërkim për trafik kokaine në sasi të mëdha, ndërsa kapja e tij nga policia mesohet se ka qënë e rastësishme.
I arrestuari nuk ka pranuar të ishte i pranishëm në seancë ndërsa babai i tij, Ilir Malindi, i cili e përfaqëson në gjykim edhe si avokat, ka pretenduar se djali i tij nuk ka qëndruar ne Shqipëri gjatë kësaj periudhe, dhe se ndaj tij nuk ka asnjë provë.
"Nuk ekziston absolutisht as edhe një provë, dhe kur them asnjë prove, e them me përgjegjësi penale. Është një inskenim total e SPAK-ut këtu e cila është pjesë e vetë politikës shqiptare që drejton sot. Ai në Shqipëri ka qendruar. Dokumentat nuk janë të falsifikuara. Janë të rregullta, se si janë nxjerrë është procedurë tjetër. E di më mirë Edi Rama se çfarë bëjnë shërbimet informative"
Që në vitin 2019, Gentian Malindi ishte në kërkim për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e mbërritur në portin e Durrësit.
Në lidhje me këtë çështje Gjykata e Posaçme ka dënuar me 15 vite burg Altin Myslihakën dhe me Ardian Begën dhe 12 vite e 6 muaj për Adrian Begën.
Ata u kapen teksa me anë të një çante nxorën 22 pako që ata mendonin se ishte kokainë, por nga ana tjetër rezultoi se me dorëzim të kontrolluar ishte lëndë e përzier kokainë e me oriz, pasi nga porti i Pireut në Greqi, hetuesit grekë dhe ata shqiptarë kishin vendosur të bënin një dorëzim të kontrolluar, duke i vendosur ngarkesës dhe GPS.
Sipas prokurorisë ka qenë Myslihaka dhe Begaj që nën drejtimin e Malindit kanë kryer veprimet në Portin e Durrësit me qëllim tërheqjen e lëndës narkotike. Ndërkohë, për shkak të pamundësisë së arrestimit, për Gentian Malindin ishte pezulluar gjykimi i cili rifillon pas arrestimit te tij.
Ndaj 46-vjeçarit rëndojnë akuzat e "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal".

