Shqiptarët mbeten në kufi, radhë kilometrike në Kapshticë
Një radhë e gjatë automjetesh u krijua të dielën në Pikën Kufitare të Kapshticës.
Shkak u bë fluksi i lartë personave që kthehen në shtetin fqinj pasi kremtuan festat e dhjetorit me të afërmit e tyre në atdhe.
Radha e automjeteve që nisi rreth mesditës shkoi në mbi 2 kilometra.
“Po të shkosh deri në Kapshticë janë 3 deri 4 km në radhë.”
Mes atyre që pritën me orë të gjata në makina ishin edhe shumë fëmijë.
“Të rrish dy dit në një vend, nuk e merr më kush mundimin të vijë për festa me familje në Shqipëri.”
Pavarësisht fluksit të pritshëm të fillimvitit, në palën greke po punohet me sportele të reduktuara, vetëm 3 të tilla.
“Kur vijmë për festa vetëm këtë mendojmë, doganën si do ta kalojmë.”
Kurse në anën shqiptare të doganës janë vënë në funksion 5 sportele.
Kjo panoramë, me radhë e pritje në kufi, përsëritet çdo janar por masa për të lehtësuar qarkullimin nuk janë marrë.
Sipas të dhënave në 24 orët e fundit në këtë pikë kufitarë kanë hyrë rreth 1 mijë e 900 shtetas dhe janë dalë afro 5 mijë e 500 të tjerë.

