Edhe në dimër te Syri i Kaltër, turistë nga mbarë bota, e zgjedhin për bukurinë dhe qetësinë
Syrit të Kaltër nuk i mungojnë turistët as në dimër. Këtë janar ka vizitorë nga mbarë bota.
Majid Amakhir ka mbërritur nga Belgjika, pas një udhëtimi nëpër Evropë, Syri i kaltër ishte një nga destinacionet që donte të vizitonte.
“Jam me origjinë nga Maroku, me gruan time angleze jam në udhëtim prej një muaji nëpër Evropë dhe Shqipëria është një nga vendet që do të vizitonim sepse nuk e njohim, është hera e parë që jemi këtu dhe duam ta zbulojmë këtë vend, kulturën njerëzit e çdo gjë.”
Uji i kristaltë dhe flora e pasur që parku natyror ofron janë arsyet përse turistët ndalojnë fillimisht në Syrin e Kaltër.
“E vërteta është që është një sit mbresëlënës, uji është i kristaltë i bukur dhe i pastër. Në verë e dimë që ka me shume njerëz, por edhe tani shoh që ka turistë.”
Shumë e vizitojnë për herë të parë dhe mbeten të mahnitur.
Maks vjen nga Rusia dhe është zhvendosur muajit e fundit në Shqipëri. Ka vendosur të zbulojë më shumë për jugun e vendit.
“Kam vetëm 40 minuta që jam këtu, por më pëlqen shume. Përpara se të vija kisha dëgjuar vetëm për një tip liqeni blu dhe erdha.”
Vizitorë në park janë edhe shqiptarët të cilët e kanë zgjedhur për qetësinë që ofron.
“Në fakt jam zhvendosur në Shqipëri që në pranverë gati kam gjithë vitin këtu. Moti me pëlqen shumë, në verë është shume nxehte, por tani është mot shume i përshtatshëm. Është vend special.”
Gjatë verës Syri i Kaltër është një ndër destinacionet më të vizituar në Shqipëri nga vendas e të huaj.
