“Forcohet” mbrojtja për 2023, Peleshi: Në fokus siguria kibernetike, ndihma nga SHBA-të dhe NATO

Pas blerjes së tre dronëve Bayraktar Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të kenë pjesë të tyre sistemet raketore tokë-ajër-tokë.

Në konferencën për mediat ku foli për objektivat e vitit 2023, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, tha se ky armatim vjen në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura.

Peleshi: Natyrisht që nuk urojmë, nuk besojmë, nuk ka gjasa, nuk ka sinjal për t’u shqetësuar për ndonjë përfshirje të mundshme të ndonjë konflikti ushtarak për vendin tonë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të përgatitemi edhe për ditën më të keqe. Në këtë kuadër, edhe për shkak të tronditjes që ka pësuar gjeopolitika mbas luftës në Ukrainë, ne vendosëm të pasurojmë forcën tonë ajrore me një kapacitet modern dhe shumë efikas.

Veç këtij sistemi, Peleshi tha se do te ketë blerje të tjera apo donacione nga partneri strategjik i Shqipërisë, SHBA.

Peleshi: Viti 2022 është viti rekord i projekteve me SHBA, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Dërgoj një falënderim për SHBA, se një pjesë e mirë e projekteve janë me bashkëfinancim. E patëm filluar punën para tyre, e kemi parapritë këtë situatë. 

Një sektor tjetër që do të ketë vëmendje është edhe ai i mbrojtjes kibernetike ku Shqipëria ishte pre e sulmeve gjatë vitit 2022.

Peleshi: Një nga projektet e rëndësishme është njësia ushtarake e mbrojtjes kibernetike e cila ka marrë një peshë të re për shkak edhe të sulmeve kibernetike të vitit të kaluar. Ne e patëm filluar punën para tyre. Viti 2023 do të jetë viti kur kjo njësi të ketë plotësuar kapacitetet e saj njerëzor. 

Peleshi gjithashtu tha se në shtator pritet që të përfundojë edhe bazës së Kuçovë, i cili është investim i NATO-s, por shtoi dhe angazhimin ushtarak në shtete të tjera.

Peleshi: Ndërtimin e bazës taktike të NATO-s në Kuçovë. E para bazë ajrore e NATO-s. Jo pa qëllim është zgjedhur Shqipëria, ka një pozicion strategjik në Ballkan. Është vend aleat i NATO dhe i sigurt. Viti 2022 është viti rekord i projekteve me SHBA, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. 

Ministri i Mbrojtjes tha se mirëmbajtja e mjeteve kryesore të ushtrisë do të realizohet përmes prokurimeve që do t’i organizojë NATO.