Deklarata e MPJ-së për largimin e Kim, Çipa: Veprim i papjekur, Ministria s'ka detyrë t'u përgjigjet spekulimeve
Në analizën vjetore të punës së tyre për vitin 2022 si dhe objektivat për vitin 2023, ministrja e jashtme Xhaçka u pyet edhe lidhur me çështjen e përfshirjes së qeverisë shqiptare në çështjet e brendshme të SHBA-së për përfundimin e mandatit të Ambasadores amerikane, Yuri Kim, në vendin tonë.
Ajo e justifikoi deklaratën me qarkullimin e teorive të komplotit për ambasadoren.
Analisti Akri Çika në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Katerina Hysenllari thotë se ka një reflektim nga Xhaçka për një veprim të papjekur.
Një ministre apo ministri nuk ka detyrimin ti përgjigjet çdo lloj spekulimi që ngrihet, thotë ai.
Çipa: Sqarimi që bëri Ministria e Jashtme nuk ishte i nevojshëm në atë periudhë për shkak se spekulime në media mund të ketë shumë. Ishte e qartë se kishte një përfundim mandati zonja Kim dhe normalisht procesi zëvendësues i ambasadores kalon në hallkat e ndryshme të vendimmarrjes amerikane duke përfshirë në radhë të parë propozimin që vjen nga DASH dhe që zyrtarizohet nga Shtëpia e Bardhë dhe më pas kalon në të gjithë filtrat e nevojshëm deri në konfirmimin nga Komiteti i Marrëdhënieve me jashtë në Senat dhe më pas nga Senati i plotë.
Shqipëria si vend pritës nuk ka shumë për të thënë përveç faktit se duhet të bëjë një konfirmim zyrtar të Ambasadorit në rast se ka ndonjë çështje të mbartur të cilin duhet ta refuzojë.Por në procesin e nominimit dhe konfirmimit nuk ka thuajse aspak rol.Mendoj se ishte një gjest i panevojshëm por që i shkon në fund të ditës debatit publik në Shqipëri dhe që mbajti në qendër të vëmendjes mediative dhe politike atë deklaratë duke qenë se u konsumua për arsye të brendshme dhe fare pak ka ndikim në procesin e ambasadores në Shqipëri.
Ishte një veprim i papjekur dhe ka një lloj reflektimi dhe nga ministrja Xhaçka. Një ministre apo ministri nuk ka detyrimin ti përgjigjet çdo lloj spekulimi që ngrihet. Nga ana tjetër ka dhe një qasje të opozitës ndaj ambasadores Kim posaçërisht, një qasje deri diku infantile, kritikuese dhe përpjekja për ta shfrytëzuar për kapital politik brenda Shqipërisë është një element që ul vlerën e marrëdhënies së rëndësishme që ka Shqipëria me SHBA.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
