Ndoka për 14 majin: Zgjedhjet do ti mbrojmë me çdo çmim, Rama në panik nga Berisha-Meta
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, thotë se 14 maji është test deçiziv për opozitën dhe se kjo e fundit nuk do të ketë asnjë justifikim për humbjen e zgjedhjeve vendore.
"Kjo është prova jonë, njësia matëse.Nëse rezulton e kundërta ka një kosto dhe për këtë. 14 maji është një moment i rëndësishëm për opozitën, një test. Nëse opozita nuk arrin të fitojë bashkinë e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, tre bashki në të cilat është investuar me figura qëndrore të vetat, besoj që do të jetë një problem jo i vogël për opozitën në terësi. Opozita nuk ka justifikim na i vodhi zgjedhjet Edi Rama".
Në funksion të kësaj do të ndërtohet dhe aksioni politik opozitar.
"Ne do të ndërtojmë aksionin tonë opozitar.Hakerat e parë iranianë janë patronazhistët e Rilindjes, ata kanë bërë dëmin më të madh të privatësisë tonë por edhe duke ndërhyrë në proces. Ata duhet të ndëshkohen me ligj. Rama është në panik dhe frikë. Ka në fushë Sali Berishën dhe Ilir Metën që i ka frikë për vdekje. Përpiqet tu japë zemër patronazhistëve dhe atyre anëtarëve të qeverisë që i mblodhi si Enveri".
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, Ndoka thotë se vota do të mbrohet me çdo çmim.
"Përmend tërmetin. Tërmeti janë dy dosje që rëndojnë mbi kryeministrin së pari, krim zgjedhor. Me patronazhistët dhe me tërmetin ai thotë se unë do të jem një personazh që do ti vjedh zgjedhjet. Kush është detyra e opozitës? Kemi mbaruar detyrën tonë institucionale, organizative dhe do të regjistrohemi për zgjedhje.Por opozita do ta ngrejë aksionin e vet opozitar për ta larguar Edi Ramën nëse ky e ka akoma mentalitetin, tendencën për të futur duart në zgjedhje.Nuk mund të justifikohemi ne me 15 maj që Edi Rama i vodhi zgjedhjet, nuk do ta lëmë Edi Ramën ti vjedhë zgjedhjet me çdo lloj çmimi, nëpërmjet protestave, revolucionit".
Rrezikut se Partia Demokratike mund të shkojë me dy kandidatë në zgjedhje thotë se nuk i druhet.
"Personalisht nuk shqetësohem fare, i njoh mirë të dy palët dhe historinë e PD, kam kontribut në këtë parti më shumë se grupi Alibasha. Edhe si aleat nuk ndjej shqetësim. Ata janë me një mision, janë peng të Edi Ramës. Nuk i shoh peshë politike sektit Alibasha më shumë se dy partive të Selami Jenisherit dhe Kujtim Gjuzit. 6 marsi ishte në një kohë krejt tjetër, Basha ishte kryetar, Berisha kishte marrë një goditje vdekjeprurëse. Kishte luftë dhe nga faktori ndërkombëtar. Sot Lulzim Basha është palosur në dysh te zyra e Edi Ramës. Berisha brenda një muaji arriti të mundë Ramën dhe Bashën bashkë".
Ndoka nuk heziton ti japë zë bindjes së tij se politikani i vetëm që mund të mundë sot Edi Ramën është Sali Berisha.
"Sipas gjykimit tim i vetmi njeri që e mund sot Edi Ramën është Sali Berisha. Do kisha dëshirë të isha unë, nuk e kam mbështetjen e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Berisha e konfirmoi pas 8 viteve që e ka mbështetjen, besimin jo vetëm të anëtarëve të PD, jo vetëm të aleatëve, por edhe partive të majta dhe anëtarëve të thjeshtë të PS".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
