Plagosja e dy serbëve, Berisha: Institucionet vepruan në kohë! Të padenja përpjekjet e Beogradit për ta politizuar ngjarjen

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur më 6 janar në Shtërpcë të Kosovës, ku kanë mbetur të plagosur dy të rinj serbë me armë zjarri, për të cilën është arrestuar dhe autori i dyshuar, pjesëtar i FSK-së (Forcat e Sigurisë së Kosovës).

Berisha e konsideron një krim të shëmtuar dhe përgëzon institucionet e Kosovës për reagimin në kohë lidhur me kapjen e autorit të dyshuar. Sipas tij, janë të padenja përpjekjet e Beogradit për të shfrytëzuar këtë ngjarje me qëllime politike, për të rënduar marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.

"Një krim i shëmtuar! Partia Demokratike dënon aktin e rëndë dhe të shëmtuar kriminal të plagosjes nga një shqiptar, të një femije 11 veç dhe një të riu 21 vjeç të etnisë serbe në komunën e Shtrepces. Duke ju uruar shërim të shpejtë të plagosurve, institucionet e Kosovës për reagimin e tyre të shpejtë ligjor, identifikimin dhe arrestimin e autorit të krimit, dhe shtoj se janë të padenja perpjekjet e Beogradit për të shfrytezuar këtë akt kriminal të dënueshëm me qellime politike për të rënduar marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë", shprehet në reagimin e tij, kryedemokrati Sali Berisha.