Çfarë pune keni ju që merreni me çështjet e SHBA-së? Xhaçka: Folëm, ngaqë pati teori komploti për ambasadoren
Në analizën vjetore të punës së tyre për vitin 2022 si dhe objektivat për vitin 2023, ministrja e jashtme Xhaçka u pyet edhe lidhur me çështjes e përfshirjhes së qeverisë shqiptare në çështjet e brendshme të SHBA-së për përfundimin e mandatit të ambasadores amerikane në vendin tonë.
Gazetari: Ajo që nuk kuptova është se çfarë pune ka shteti shqiptar që merret me një çështje që është ekskluzivisht e një shteti tjetër?
Xhaçka: Sigurisht që shteti shqiptar që është shteti pritës nuk ka asnjë punë që të komentojë procedurat e shteteve të tjera për zëvendësimin e ambasadorëve të tyre, dhe ne nuk kemi punë dhe ne nuk e kemi bërë këtë. Ne kemi një rol në këtë proces që është ai i dhënies së dakordësisë sa herë ndodh zëvendësimi dhe më pas akreditimi i ambasadorëve. Dhe në kushtet kur ambasadorja amerikane për shkak të trillimeve të shëmtuara të politikës shqiptare, të “non-gratave” të cilët kanë bërë pa fund teori komploti mbi lobime për të zëvendësuar ambasadorë të cilët funksiononin si elektronë të lirë dhe nuk përfaqësonin politikat zyrtare të vendeve të tyre, ne gjykuam që po i vinim kapak në kushtet e shumë kërkesave për informacion dhe shumë teorive të cilat erdhën te ne në momentin që ky proces u bë i ditur, apo rrodhi në media, dhe u bë i ditur për të tjerët, ne thjesht thamë, nuk komentuam në asnjë rast as procedurat, as kandidatët, as kur dhe si qysh e tek, por thjesht kemi thënë: Ju lutem, t’i vëmë kapak thashethemeve dhe kërkesave për informacion, sepse këtu nuk ka absolutisht asgjë për t’u shënuar. Sepse nuk do shkencë që të kalkulosh që një mandat është konsumuar. Kaq! Kaq! Mund të mos e kishim bërë, por qëllimi ka qenë ky dhe vetëm ky!
