Plagosje me armë zjarri në një lokal në Tropojë, dyshohet aksidentale
Nga OraNews Përditësimi i fundit 6 Janar 2023, 18:05
Një 61-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri pasditen e sotme në qytetin e Bajram Currit në Tropojë.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal te rruga e gjimnazit. I plagosuri, i identifikuar si shtetasi Din Qeleposhi, është qëlluar në këmbë.
"Në qytetin e Bajram Currit, në rrethana ende të paqarta, është dëmtuar në këmbë shtetasi D. Q., 61 vjeç, banues në fshatin Sopot, i cili ka shkuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Gjakovës, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën" thotë policia.
Dyshimet e para janë se 61-vjeçari është vetëplagosur apo plagosur aksidentalisht nga ndonjë prej 4 personave që e shoqëronin në tavolinë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
