“Dita e rrugeçërve”/ Në Pojan të Maliqit kremtohen karnavalet qindra vjeçare

Në fshatin Pojan të Maliqit janë mbajtur karnavalet që datojnë prej qindra vitesh. Kjo është një ndër festat që ruhet me fanatizëm brez pas brezi atje. Të veshur me kostume të frikshme, me këngë e valle, dhe duke hyrë në dyqane e në shtëpitë e fshatit, banorët thanë se se kjo është një ndër ditët më të veçanta të fshatit.

Të veshur me kostume të frikshme të rinjtë e Pojanit në Maliq, hynë në dyqane e shtëpi dhe nxorën njerëzit në rrugë!

Janë karnavalet e fshatit të njohura ndryshe si “Dita e Rrugeçërve”.

“Duke qenë gjithmonë të interesuar që t’i ruajmë vlerat tona tradicionale të trashëguara që nga lashtësia, për të treguar që ne jemi popull autokton dhe një popull me qytetërim të lashtë pellazgo-ilir”, shprehet një banor.

Festa pagane që daton prej qindra vitesh ruhet akoma nga brezat e rinj.

“Doktorin që largon të keqen dhe bën vaki për plakun dhe plakën, dhe na bën që ti kemi edhe për vitin tjetër”, thotë një tjetër banor.

Këtë vit pjesëmarrës kishte edhe nga Kosova, ku ata shijuan nga afër festimet.

“Këtë vit kam rolin e plakjes, vitin e kaluar kisha një tjetër rol. Janë disa personazhe të mbetura nga tradita e festës tonë shumë vjeçare, dhe risitë tona që i sjellim çdo vit”

“Ngrihemi shpejt, në çdo banesë shkojmë”

Fshati Pojan i Bashkisë Maliq e trashëgon këtë festë prej qindra vitesh. Organizohet një ditë pas ujit të bekuar dhe siç e do zakoni, shoqërohet me veshje tradicionale si dhe me valle e këngë duke sjellë kështu një atmosferë pozitive në rrugët e fshatit.