Familja denoncoi zhdukjen, gjendet 32-vjeçari në Roskovec

Gjendet shëndosh e mirë 32-vjeçari Ferit Sakaj në Roskovec, i cili ishte zhdukur pa gjurmë prej ditësh.

"Në vijim të kallëzimit të shtetases Z. S., për largimin nga banesa të djalit të saj 32-vjeçar, ju bëjmë me dije se ky shtetas u gjet nga Policia, në gjendje të mirë shëndetësore, në lagjen "Sheq i Madh", Fier" njoftoi policia.

Familja Sakaj në Suk1 të Roskovecit kërkoi ndihmën e policisë për gjetjen e djalit të humbur prej 5 ditësh.

Lajmin e konfirmuan kunati dhe e motra e të humburit që jetojnë e punojnë prej vitesh në Greqi.

Ata pohuan se një ditë më parë familjarët e tij kishin shkuar në policinë e Roskovecit ku kanë kryer edhe denoncimin për zhdukjen e tij.

32-vjeçari ishte larguar nga banesa pesë ditë më parë dhe nuk është kthyer më. Largimi ka qenë në datën e 1 janarit.

Familja Sakaj u vu në alarm pasi kishte pësuar një seri humbjesh të njerëzve të dashur.

Kryefamiljari ka ndërruar jetë duke peshkuar në lumin e Semanit disa vite më parë, ndërsa një vëlla tjetër 14 vjeç Ergis Sakaj gjeti mbytjen po në lumin Seman në muajin gusht të vitit 2022.

E ëma e 32-vjeçarit tregoi se i biri i kishte thënë se do shkonte tek e motra në Fier, pasi ajo ka një vajzë të martuar në Fier dhe nuk ishte kthyer më.

32-vjeçari i zhdukur, sipas policisë së Fierit, është me probleme të shëndetit mendor.