PD “shpërthen” në akuza ndaj Llatjas: Gledisi, sekser i Ramës, duke shpërdoruar paratë e qytetarëve të Elbasanit

Kryetari i Partisë Demokratike në Elbasan, Blendi Himçi në një deklaratë për mediat denoncoi bllokadën, siç e quajti ai, nga ana e  bashkisë së Elbasanit të mediave sa i përket mbledhjeve dhe vendimeve të kësaj bashkie.

Himçi akuzoi kryebashkiakun Gledis Llatja se e ka trajtuar Bashkinë e Elbasanit si seksion të Partisë Socialiste, duke mbyllur çdo dritare të informimit për qytetarët.

Ai tha Gledi në ikje i Bashkisë është kthyer në një sekser të Edi Ramës me kompanitë, duke shpërdoruar në mënyrë të papërgjegjshme paratë e qytetarëve të Elbasanit.

“Për askënd nuk ka qenë e lehtë në këtë dekadë të abuzimit me pushtetin nga ana e Edi Ramës dhe të deleguarve të tij në krye të bashkive të vendit.

Në këtë fillimviti, do t’ju sjell në vëmendje një rekord të zi të kryebashkiakut në ikje të Elbasanit. Gledi do mbahet mend si kryebashkiaku që e ktheu bashkinë në pronë private. Bashkia e Elbasanit është zhytur në terr të plotë të informimit të qytetarëve.

Kryebashkiaku në ikje, pa asnjë eksperiencë në raport me institucionet, e ka trajtuar Bashkinë e Elbasanit si seksion të Partisë Socialiste, duke mbyllur çdo dritare të informimit për qytetarët.

Mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Elbasanit mbahen të mbyllura dhe nuk pasqyrohen askund. Mbledhjet ku merren vendimet për paratë e qytetarëve të Elbasanit, për taksat, shkollat, kopshtet, parqet dhe gjithçka ndodh në këtë qytet, janë të fshehura, pa transparencë dhe pa media. E gjitha kjo ka një arsye: në këto mbledhje s’ka debat, s’ka diskutim, por ka diktim, ka pazare, ka bashkëpunim në korrupsion.

Gledi në ikje i Bashkisë është kthyer në një sekser të Edi Ramës me kompanitë, duke shpërdoruar në mënyrë të papërgjegjshme paratë e qytetarëve të Elbasanit. Gledi ka shtuar në CV-në e tij bllokimin e vendimmarrjeve të Bashkisë së Elbasanit në faqen zyrtare të saj”, deklaroi ndër të tjera, kryedemokrati i Elbasanit,  Blendi Himçi.