Opozita: Rekrutime për vota. Rama po fryn administratën me militantë

Nga seli të ndryshme por me akuza të njëjta.

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë thanë të enjten se Kryeministri Edi Rama po rrit numrin e të punësuarve në administratë, për qëllime elektorale.

Floriana Garo dhe Tedi Blushi cituan të dhënat e Institutit të Statistikave.

Floriana Garo: “Që nga viti 2014 administrata shtetërore, qëndrore apo vendore, është rritur me 22 mijë vetë”.

Tedi Blushi: “Vetëm vitin e kaluar në momentin e fushatës elektorale, administrata u rrit me rreth 8 mijë persona”.

Zëdhënsja e Partisë Demokratike deklaroi se një pjesë e të punësuarve në administratë, janë militantë të Rilindjes që paguhen me taksat e shqiptarëve edhe pse jetojnë jashtë vendit.

Floriana Garo: “Ata shpërblehen që, kur të vijnë zgjedhjet të kthehen në Shqipëri dhe të punojnë për manipulimin e vullnetit të bashkëqytetarëve të tyre. Me pak fjalë të punojnë që rroga e tyre të vazhdojë”.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjës së Lirisë, i kujtoi Ramës premtimin e pambajtur.

Tedi Blushi: “Kur erdhi në pushtet, Edi Rama premtoi një administratë publike efikase dhe me numër më të vogël punonjësish. Por faktet tregojnë totalisht të kundërtën. Pas reformës në pushtetin lokal në vitin 2015, në vend se numri i punonjësve të pakësohej, siç u trumbetua me të madhe, përkundrazi, administrata u dyfishua dhe nga 19.600 punonjës shkoi në 35 mijë punonjës, duke i kushtuar Buxhetit të Shtetit rreth 100 milion euro shtesë”.

Për opozitën shtimin i punonjësve të administratës po rëndon buxhetin e shtetit.

Floriana Garo: “Në vitin 2020, nga 10 degët kryesore të ekonomisë, administrata publike ishte e treta për peshën më të lartë në ekonomi, pas bujqësisë me 19.2 %, dhe sektorit të tregtisë, akomodimit dhe transportit me mbi 15%”.

Tedi Blushi: “Fryrja e paligjshme dhe politike e shtetit me patronazhistë për qëllime elektorale po shkatërron buxhetin e shtetit, llogaridhënien dhe transparencën dhe po rëndon çdo ditë edhe më shumë qytetarët shqiptarë, që me bukën dhe djersën e tyre paguajnë me kosto ekstra të pamerituara një administratë publike që jo vetëm nuk u shërben, por edhe i vjedh, i shtyp dhe i zemëron çdo ditë.

Reagimet e opozitës vijnë ndërkohë që mazhoranca nën drejtimin e Kryeministrit Rama, ka përcaktuar prioritete për vitin elektoral në të cilin parashikohen projekte ambicioze.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.