Borxhet e pushtetit vendor, Haxhimali: Bashkitë Vorë dhe Kavajë duhet të ishin mbyllur që në 2019

Bashkitë Vorë dhe Kavajë do të duhet të ishin mbyllur që në 2019 për shkak të borxheve sipas ekspertit të pushtetit vendor, Agron Haxhimali.

Për Ora News me gazetaren Sonila Musai, ai thotë se rreth 1/3 e bashkive kanë probleme financiare por këto dy bashki janë të falimentuara.

"Është e vërtetë, është bashkia Vorë dhe Kavajë. Duhet të ishin mbyllur që në 2019. Nga të ardhurat që kanë nga buxheti, 85% e tij duhet të shkojë për të shlyer detyrimet nga palët e tjera dhe 15% i ke për shpenzime për të mbajtur institucionin. Përveç këtyre janë 1/3 e bashkive me probleme të natyrave të ndryshme financiare por këto dy bashki nuk kanë performuar si duhet".

Sipas tij, me 1% të GDP-së nuk mbahet pushteti vendor, ka nevojë minimalisht 2%.

"Të shohim pas zgjedhjeve të 14 majit që do të kemi këshilla pluralistë. Besoj që të majtë dhe të djathtë do të bëhen bashkë dhe do të jenë një barrikadë e fortë ndaj cilido kryeministër, qoftë i majtë apo i djathtë".

Por sa drejt e ndan këtë fond qeveria?

"Padrejtësia nuk bëhet te formula por te mekanizmat e tjerë, te Fondi Shqiptar i Zhvillimit aty ku bëhen investime. Është i pastër fare interesi politik. Para zgjedhjeve të 30 qershorit, nga raportet që bënim në atë kohë nga grantet e pakushtëzuara të qeverisë, 93% shkonin për bashkitë e majta dhe 7% për ato të djathta. Diskriminim i panevojshëm. Është bërë padrejtësi dhe bëhet edhe sot. Sot janë brenda të majtës, por varet kush është lobist më i fuqishëm".

Haxhimali e vlerëson të nevojshme një rishikim të reformës territoriale për të çuar shërbimet pranë qytetarëve.

"Për qytetarët për të pasur një përfaqësim më të mirë, një shërbim më të mirë, kjo reformë duhet të rregullohet në të gjitha dimensionet administrative dhe territoriale. Është detyrim i politikanëve ta hedhin në tavolinë për diskutim".

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.