Berisha mungon në ceremoninë e 32-vjetorit të Rilindjes Demokratike, Bylykbashi: Është me grip

Gjendja jo e mirë shëndetësore për shkak të gripit nuk ia mundësoi kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha të merrte pjesë në 32-vjetorin e gazetës Rilindja Demokratike. Urimet e tij për të pranishmit i përcolli nënkryetari Bylykbashi.

Më 5 janar 1991, pas rreth 5 dekadash shtypjeje dhe censure të ashpër komuniste, mungesës së të drejtës për të folur, shkruar, idetë dhe opinionet pa u përballur me ndëshkimin, u botua numri i parë i gazetës "Rilindja Demokratike", e cila u kthye në një tribunë refleksionesh mbi regjimin komunist e të shkuarës dhe mbi demokracinë e shumëpritur të së ardhmes.

Sot në 32-vjetorin e themelimit të saj, Partia Demokratike organizoi një ceremoni ku të pranishëm ishin gazetarë të RD-së, politikanë dhe përfaqësues të tjerë të medias.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm për Rilindjen Demokratike, mungonte kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe arsyen e zbuloi në fillim të ceremonisë, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

“Më bie privilegji t’ju drejtohem juve sot në këtë përvjetor të 32-të të Rilindjes Demokratike, t’ju përcjell urimet më të mira nga Sali Berisha, kryetar i PD-së, i cili sot për arsye të një gripi, nuk arriti të na bashkohet sot këtu”.

Deputeti, Edi Paloka, tha se misioni i gazetës Rilindja Demokratike për fjalën e lirë ende nuk ka mbaruar.

Bledi Kasmi, kryeredaktor, risolli numrin e parë të gazetës, 32 vite të shkuara.

Gazeta Rilindja Demokratike cilësohej 3 dekada më parë simbol i lirisë së shprehjes.

Berisha mungon në ceremoninë e 32-vjetorit të RilindjesBerisha mungon në ceremoninë e 32-vjetorit të Rilindjes